Bota

Danimarka: Incidentet me dronë në aeroportin e Aalborgut duken se janë sulme hibride

"Sigurisht që nuk duket si rastësi. Duket sistematike. Ende nuk ka ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për Danimarkën", tha ministri i Mbrojtjes, Poulsen

Melike Pala  | 25.09.2025 - Përdıtësım : 26.09.2025
Danimarka: Incidentet me dronë në aeroportin e Aalborgut duken se janë sulme hibride

Bruksel

Ministri i Mbrojtjes i Danimarkës, Troels Lund Poulsen tha të enjten se incidentet me dronë që detyruan mbylljen e aeroportit të Aalborgut dhe prekën disa aeroporte të tjera në vend duket se janë "profesionale dhe sistematike", me shumë mundësi si pjesë e një sulmi hibrid, por që nuk përbënin ndonjë kërcënim të menjëhershëm ushtarak, transmeton Anadolu.

Incidentet, të raportuara të mërkurën vonë, përfshinin dronë në Aalborg, Esbjerg, Sonderborg, bazën ajrore "Skrydstrup" dhe për pak kohë në aeroportin e Billund-it, duke shkaktuar mbyllje të përkohshme të hapësirës ajrore.

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media me ministrin e Drejtësisë Peter Hummelgaard, shefin e Mbrojtjes Michael Hyldgaard dhe shefin e Policisë Kombëtare Thorkild Fogde, Poulsen e përshkroi aktivitetin e dronëve si tregues të një aktori profesional, duke theksuar se nuk përbën kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për Danimarkën, raportoi transmetuesi DR.

"Sigurisht që nuk duket si rastësi. Duket sistematike. Ende nuk ka ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë ushtarak për Danimarkën", tha Poulsen.

Ministri i Drejtësisë, Hummelgaard tha se aktiviteti i dronëve është pjesë e një modeli më të gjerë incidentesh shqetësuese në të gjithë Evropën dhe nënvizoi qëllimin e kërcënimeve të tilla hibride: të mbjellin frikë dhe mosmarrëveshje.

Më 10 shtator, një sulm i dyshuar rus me dron goditi territorin polak, duke bërë që NATO të vendoste avionë luftarakë. Rumania dhe Estonia bënë akuza të ngjashme, të cilat Rusia i mohoi. Ai shtoi se autoritetet po i hetojnë incidentet tërësisht, duke mbajtur të hapura të gjitha mundësitë në lidhje me autorët.

Shefi i Mbrojtjes, Hyldgaard dhe shefi i Policisë Fogde thanë se mbrojtja daneze dhe policia kombëtare kanë koordinuar mbikëqyrjen dhe mbështetjen gjatë natës. Hyldgaard tha se vendimi për të mos i rrëzuar dronët ishte bazuar në konsiderata sigurie për popullsinë dhe vlerësimin profesional të ushtrisë.

Autoritetet ende nuk e kanë identifikuar burimin e dronëve dhe nuk janë krijuar lidhje të drejtpërdrejta me shtetet e huaja, përfshirë Rusinë. "Ajo që po përjetojmë tani janë dronë që potencialisht po lëshohen në zonën tonë të afërt. Nuk e di nga kanë ardhur dronët, por ato nuk kanë ardhur nga një distancë e gjatë", tha Hyldgaard.

Ai theksoi se qeveria ende nuk ka marrë vendim përfundimtar për aktivizimin e Nenit 4 të NATO-s, i cili lejon çdo shtet anëtar të kërkojë konsultime kur siguria e tij kërcënohet, por Danimarka tashmë i është drejtuar Aleancës.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.