Bota

Dalin në pah shkrimet skandaloze në të cilat "OKB-ja ia spiunoi Kinës disidentët"

Shkresat e e-mailave mes punonjësve të OHCHR-së, njoftimet për media dhe intervistat që AA ka siguruar, tregojnë se Zyra e OHCHR-së në të kaluarën ka ndarë me qeverinë e Kinës paraprakisht emrat e aktivistëve dhe disidentëve kinezë

Bayram Altuğ, Şerife Gül Arıman  | 18.01.2021 - Përdıtësım : 19.01.2021
Dalin në pah shkrimet skandaloze në të cilat "OKB-ja ia spiunoi Kinës disidentët"

Ankara

BAYRAM ALTUĞ, ŞERİFE ÇETİN

Pretendimet se zyra e Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) ka ndarë me qeverinë kineze emrat e disidentëve tibetian, hong-kongas, e veçanërisht të aktivistëve ujgurë, ka fituar një dimension të ri pasi Anadolu Agency (AA) ka arritur deri tek shkresat në lidhje me çështjen.

Dalin në pah shkrimet skandaloze në të cilat "OKB-ja ia spiunoi Kinës disidentët"

Pretendimet se zyra e Komisionarit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) ka ndarë me qeverinë kineze emrat e disidentëve tibetian, hong-kongas, e veçanërisht të aktivistëve ujgurë, ka fituar një dimension të ri pasi Anadolu Agency (AA) ka arritur deri tek shkresat në lidhje me çështjen. ( AA - Anadolu Agency )

Punonjësja e OHCHR-së dhe avokatja e të drejtave të njeriut, Emma Reilly, e cila shumë herë është shprehur lidhur me pretendimet se zyra e OHCHR-së ka ndarë emrat e disidentëve me qeverinë kineze, ndau me AA shkresat e e-mailave për të cilat ajo ka qenë dëshmitare në kohën kur ka kryer detyrën aktive në institucionin e lartpërmendur.

Shkresat e postës elektronike mes punonjësve të OHCHR-së, njoftimet për media dhe intervistat, tregojnë se Zyra e OHCHR-së në të kaluarën ka ndarë me delegacionin kinez me detyrë në OKB, emrat e disa prej aktivistëve dhe disidentëve kinezë që kanë marrë pjesë në aktivitetet siç janë panele, konferenca dhe sesione të hapura që OKB në të kaluarën ka organizuar shpeshherë në lidhje me të drejtat e njeriut.

Reilly pohon se ndarja e emrave me qeverinë kineze po vazhdon edhe sot. Si dëshmi për këtë, ajo citon një njoftim për shtyp të lëshuar nga OKB në vitin 2017 dhe deklaratën e OKB-së se praktika është ende në vazhdim në seancën që ajo mori pjesë si "e pandehur" në vitin 2019. Sipas Emma Reilly, kjo situatë është në kundërshtim me deklaratën e OKB-së se kjo praktikë është ndërprerë në vitin 2015.

Në deklaratën për shtyp të OHCHR-së më 2 shkurt 2017 thuhet:

"Zyrtarët kinezë dhe të tjerë, shpeshherë pyesin disa ditë ose javë përpara zyrën e OKB-së për të Drejtat e Njeriut nëse në mbledhjet e Këshillit të të Drejtave të Njeriut do të marrin pjesë apo jo anëtarët e disa organizatave të shoqërisë civile. Ndërsa zyra nuk konfirmon këto informacione deri në përfundimin zyrtarisht të procesit të akreditimit dhe deri në përcaktimin se nuk ka një kërcënim të hapur të sigurisë".

Deklarata tregon se ndarja e emrave mund të bëhet pasi të përfundojë procesi i akreditimit. Nëse merret parasysh se proceset e akreditimeve për sesionet e Këshillit përfundojnë disa javë më parë, mund të kuptohet se qeveria kineze posedon kohën e mjaftueshme për të zbatuar presion ndaj personave në fjalë në rast të dëshirës.

Disa organizata, përfshirë "UN Watch" dhe "Human Rights Watch" mbrojnë idenë se praktika në fjalë e OKB-së rrezikon jo vetëm jetën e aktivistëve dhe disidentëve kinezë, por edhe jetët e familjarëve dhe të afërmve të tyre.

Shkresat e e-mailave që AA ka siguruar, konfirmon pretendimet

Shkresat e e-maileve që Reilly ka ndarë me AA, për të cilat ajo ka qenë dëshmitare në kohën kur ka kryer detyrën aktive në OHCHR, zbuloi funksionimin problematik të OKB-së.

Në një e-mail të datës 7 shtator 2012, një diplomat nga delegacioni i Kinës në OKB, kërkoi informacion nga punonjësit e OHCHR-së që merren me organizatat e shoqërisë civile nëse do të ketë pjesëmarrje apo jo në seancën e 21-të të Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut nga ndonjëri nga emrat në listën që i ka dërguar "si gjithmonë".

Punonjësi i OKB-së në përgjigje e njofton diplomatin kinez se në mesin e pjesëmarrësve do të jenë "Dolkun Isa" dhe He Geng, bashkëshortja e aktivistit kinez Gao Zhisheng.

Ndërsa në shkresat e bëra në vitin 2013, diplomati kinez duke vënë theksin se "në sesionet e mëparshme është bërë një bashkëpunim shumë i mirë mes misionit të Kinës dhe njësisë tuaj" kërkon sërish të konfirmojë se cilat emra do të marrin pjesë në sesion.

Gjatë periudhës që kanë vazhduar shkresat e e-maileve, mund të shihet se ambasadori i delegacionit të Kinës në zyrën e OKB-së në Gjenevë, në periudha të ndryshme ka dërguar ftesë për darkë dhe çaj punonjësve të OHCHR-së.

Reilly: OKB vazhdon t‘i japë Kinës emrat e disidentëve

Avokatja e të drejtave të njeriut Reilly, deklaroi se ajo po gjykohet në OKB dhe se seancat në Gjykatën e Mosmarrëveshjeve të OKB-së janë duke vazhduar.

"Aktualisht nuk kam një punë. OKB vazhdon të paguajë rrogën time, por nuk ka përcaktim të detyrës. Nuk mund të më largojnë nga puna sepse e dinë që un po flas të vërtetën. Por nuk më japin asnjë punë", tha Reilly.

Ajo tha se në shkurt të vitit 2013 ka mësuar për herë të parë që zyra e Komisionarit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka ndarë me diplomatët kinezë emrat e disidentëve dhe aktivistëve.

"Fillova të raportoj këtë çështje pa humbur kohë. Njoftova Komisionarin e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në atë kohë. Njoftova Bashkimin Evropian", thotë ajo.

Reilly peretendon se një punonjës i OHCHR-së bëri "deklaratë të rreme" para BE-së dhe BE-ja nuk e ndoqi çështjen.

Ajo nënvizoi se ka mundur të përcaktojë që nga OKB-ja i janë dhënë Kinës rreth 50 deri 70 emra të disidentëve kinezë dhe se 8-9 prej këtyre janë shtetas amerikanë dhe 5-6 shtetas gjermanë. Reilly vuri theksin se ka informuar që të dy vendet për praktikën e OHCHR-së.

Më tej ajo vlerëson se "në të njëjtën kohë ndarja e emrave me Kinën të shtetasve të tjerë nga OHCHR është një çështje diplomatike".

Reilly ndër të tjera parashtroi pyetjen se "OKB, në deklaratën për media që publikoi në vitin 2017 dhe në gjykimin e zhvilluar në vitin 2019 tha se praktika vazhdon akoma. Nëse kjo praktikë ka përfunduar në 2015-tën, atëherë përse e pranoi që kjo vazhdon ende në deklaratën e saj për media të bërë në 2017-tën dhe në gjykatë në vitin 2019-të?"

Ajo duke theksuar se ka fituar padin e parë të ngritur kundër saj në gjykatën e OKB-së dhe se gjyqtari australian Rowan Downing ka vendosur që praktika e OHCHR-së është e "jashtëligjshme", Reilly pretendoi se "OKB nuk e pëlqeu këtë vendim dhe tërhoqi nga gjykimi gjyqtarin"

"Jetët e personave, emrat e të cilëve i janë dhënë Kinës, janë në rrezik"

Duke theksuar se sipas udhëzimeve të OKB-së, OHCHR nuk ka të drejtë të ndajë me Kinën emrat e pjesëmarrësve në takime, Reilly theksoi:

"Në të vërtetë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka një udhëzim. Sipas këtij udhëzimi, çdo vend që dëshiron të mësojë se kush do të merr pjesë në mbledhje duhet të marrë më parë miratimin para shteteve në Bordin e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Ky udhëzim i shkruar në mënyrë të qartë në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut është shkelur nga Kina".

Reilly shtoi se "jetët e personave, emrat e të cilëve i janë dhënë (Kinës), janë në rrezik. Asnjëri prej këtyre nuk është në dijeni se emrat e tyre i janë dhënë Kinës. Si një punonjës i OKB-së për të drejtat e njeriut ishte detyrë e imja për të sjellë këtë çështje në rendin e ditës".

Kinës i është dhënë edhe emri Dolkun Isa, kryetari i Kongresit Botëror Ujgur, i cili ka marrë pjesë në aktivitetet e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë gjatë 2016 dhe 2019 dhe se Isa ka dëshmuar në favor të saj gjatë procesit të hetimit, informoi Reilly.

Pasi bëri të ditur se Isa është arrestuar disa herë në Evropë me presionet e Kinës, Reilly më tej tha se "Është arrestuar edhe vëllai i tij në Kinë. Familjen e tij në Kinë e vizituan agjentët dhe kërkuan që të mos mbrojë të drejtat e (turqve ujgurë)".

"Si rezultat i drejtpërdrejtë i ndarjes së emrit të tij me Kinën, hyrja e Isas është penguar disa herë në OKB. Janë përjetuar shumë ngjarje ku Kina u është hakmarrë njerëzve që mbrojnë në mënyrë të hapur të drejtat (në OKB)", vazhdoi ajo.

"Shumica e aktivistëve janë turqit ujgurë"

Reilly theksoi se për shkak të sigurisë, nuk do të mund të ndajë emrat e aktivistëve të tjerë të cilëve u është kundërpërgjigjur Kina, duke shtuar se shumica e tyre janë turqit ujgurë.

Avokatja e të drejtave të njeriut Reilly informoi se qeveria kineze krahas turqve ujgurë ka frikësuar edhe familjet e aktivistëve dhe disidentëve tibetianë dhe nga Hong Kongu.

Reilly nënvizoi se ka prova të qarta që familjet e aktivistëve dhe disidentëve, kryesisht ato të ujgurëve emrat e të cilëve i janë dhënë Kinës nga OKB-ja "janë mbajtur në kampe përqendrimi, janë detyruar të punojnë dhe se janë përballur me dhunë seksuale".

"Të gjitha këto janë njoftuar nga ekspertë të pavarur të OKB-së për të drejta e njeriut dhe ndarja në mënyrë të plotë e emrave të këtyre personave me Kinën nga sekretariati i OKB-së si dhe vendosja e familjeve të tyre në objektiv përbën bashkëpunim në krim", tha Reilly.

"OKB, është bërë palë në krimet ndërkombëtare, përgjegjësit të japin llogari"

Duke folur rreth asaj se përse ka denoncuar tek shtetet anëtare praktikën e Zyrës së OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Reilly tha se:

"Për shkak se kjo bën bashkëpunëtor OKB-në në krimet ndërkombëtare. Kjo është e kundërta e asaj që OKB duhet të bëjë. Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut nuk duhet të rrezikojë jetën e mbrojtësve të të drejtave të njeriut. Gjithashtu është një situatë shokuese që shqetësimi i vetëm i zyrës është që të tregojë përpjekje të më ndalojë mua që të denoncoj këtë situatë", shtoi ajo

- OKB ka përgënjeshtruar pretendimet e Reilly-t

Zëdhënësi i OHCHR-së, Rupert Colville, mbron idenë e tij se kjo praktikë është bërë në mënyrë të "kufizuar" para vitit 2015 dhe se pas kësaj date qasja ka përfunduar.

Zëdhënësi i OHCHR-së, Rupert Colville, në një deklaratë që bëri më 14 janar për AA-në, deklaroi se "Që nga viti 2015 kjo praktikë e kufizuar ka përfunduar", duke shtuar se:

"OHCHR në 5 vitet e fundit nuk ia ka konfirmuar asnjë shteti emrat e aktivistëve që janë të akredituar për të marrë pjesë në mbledhjet e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut. Është i gabuar pretendimi që Reilly shpreh vazhdimisht se këto praktika vazhdojnë edhe në ditët e sotme", tha ai.

Në kundërshtim me pretendimet e Reilly-t, Colville pohoi se "nuk ka asnjë provë që kjo praktikë e OHCHR-së ka dëmtuar ndonjë pjesëmarrës".

Colville gjithashtu tha se "refuzojmë kategorikisht pretendimet e Reilly-t për keqbërje. Për shkak të proceseve (ligjore) që vazhdojnë, fatkeqësisht jemi të kufizuar që të mund të japim përgjigje më të detajuar ndaj shumë pretendimeve të saj".

Isa: Kina ndalon hyrjen e disidentëve në OKB

Në anën tjetër, kryetari i Kongresit Botëror Ujgur, Dolkun Isa, për AA tha se në vitin 2013 me aktivisten Rabia Kadir dhe ujgurët e tjerë kishin dëshirë që të merrnin pjesë në mbledhjen e Këshillit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, por pa marrë parasysh se kanë akreditime policia është munduar që t'i nxjerrë ata nga salla, duke treguar se kjo është për shkak të iniciativave të Kinës.

Ai më tej tregon se në vitin 2017 me presionin e Kinës është arrestuar para një mbledhje, ndërsa në vitin 2018 me akuzat nga Kina se është "terrorist" është bërë përpjekje për të penguar hyrjen e tij në OKB.

"Kina përdor të gjitha mundësitë që ka për të na penguar. Madje në vitin 2017 na dëbuan nga OKB-ja në New York me forcën e policisë", tha ai.

Isa më tej duke treguar se ka humbur kontaktet me të gjithë familjen e tij, tregoi se për vdekjen e babait të tij ka mësuar nga mediat, nëna i ndërroi jetë në kampet e diskutueshme në Kinë në vitin 2018, vëllai i tij i vogël është shpallur i humbur dhe se vëllai i tij i madh është arrestuar dhe dënuar me burg.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.