CNN: Pentagoni miraton transferimin e raketave "Tomahawk" në Ukrainë, vendimi përfundimtar tek Trump
Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë thënë se disa çështje operative, përfshirë trajnimin dhe metodën e vendosjes, janë në shqyrtim
Istanbul
Pentagoni ka miratuar furnizimin e Ukrainës me raketa me rreze të gjatë “Tomahawk”, duke vlerësuar se ky hap nuk do të ndikojë në rezervat amerikane, transmeton Anadolu.
Megjithatë, vendimi final mbetet në dorën e presidentit Donald Trump.
CNN raportoi se vlerësimi i Pentagonit iu dërgua Shtëpisë së Bardhë në fillim të këtij muaji, pak para se Trump të takohej me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy në Washington. Ukraina ka kërkuar këto raketa për të goditur objektiva energjitike dhe infrastrukturore brenda Rusisë.
Sistemi “Tomahawk” ka një rreze veprimi prej rreth 1.000 miljesh (1.600 kilometra) dhe zakonisht lëshohet nga anijet ose nëndetëset.
Zyrtarët amerikanë të mbrojtjes kanë thënë se disa çështje operative, përfshirë trajnimin dhe metodën e vendosjes, janë në shqyrtim.
Vlerësimi i Pentagonit është mirëpritur nga disa aleatë evropianë, të cilët kanë thënë se ai largon shqetësimet mbi disponueshmërinë e raketave. Planet janë hartuar për furnizimin e shpejtë të sistemeve nëse presidenti autorizon transferimin.
Gjatë një dreke pune me Zelenskyyn në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se Shtetet e Bashkuara “i duan” raketat “Tomahawk” dhe nuk dëshirojnë “të dhurojnë gjëra që na duhen për të mbrojtur vendin tonë”.
Sipas CNN-it, qëndrimi i Trumpit ndryshoi pas një bisede telefonike me presidentin rus Vladimir Putin, i cili ka thënë se raketat Tomahawk mund të arrijnë qytetet ruse, përfshirë Moskën dhe Shën Petersburgun, dhe se kjo do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet dypalëshe.
Shtëpia e Bardhë dhe Pentagoni nuk kanë komentuar.
Më herët, Zelenskyy ka thënë se Ukraina synon të forcojë kapacitetet e saj të goditjes me rreze të gjatë deri në fund të vitit, duke deklaruar se “sanksionet globale dhe goditjet tona precize janë pothuajse duke u sinkronizuar për t’i dhënë fund kësaj lufte me kushte të drejta për Ukrainën”.
Ndërkohë, Putini dhe Kremlini kanë paralajmëruar në mënyrë të përsëritur se dërgesat e raketave “Tomahawk” nga SHBA-ja drejt Kievit mund të çojnë në një “përshkallëzim serioz”.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
