CNN: Izraeli po përgatitet të nisë sulme ndaj objekteve bërthamore të Iranit
Sipas lajmit të CNN, i cili citon zyrtarë amerikanë, dyshohet se Izraeli po përgatitet për sulm ndaj Iranit derisa negociatat mbi programin bërthamor midis Iranit dhe SHBA-së vazhdojnë

Ankara
CNN pretendoi se SHBA-ja ka marrë informacione të reja që tregojnë se Izraeli mund të sulmojë objektet bërthamore të Iranit, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të CNN, i cili citon zyrtarë amerikanë me njohuri për çështjen, dyshohet se Izraeli po përgatitet për sulm ndaj Iranit derisa negociatat mbi programin bërthamor midis Iranit dhe SHBA-së vazhdojnë.
Zyrtarët thanë se Izraeli ka mundësi të nisë sulm bazuar në rezultatin e bisedimeve mbi programin bërthamor midis Teheranit dhe Washingtonit. "Mundësia e një sulmi izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit është rritur ndjeshëm", tha një zyrtar.
Zyrtari sugjeroi se nëse SHBA-ja lejon Iranin të pasurojë uraniumin, mundësia e një sulmi izraelit bëhet më e mundshme. Një burim izraelit tha se Izraeli është gati të ndërmarrë veprime ushtarake nëse SHBA-ja bën një "marrëveshje të keqe" me Iranin që Izraeli nuk mund ta pranonte.
- Procesi i negociatave mbi programin bërthamor midis Iranit dhe SHBA-së
Procesi i negociatave mbi programin bërthamor midis Iranit dhe SHBA-së vazhdon.
Teherani dëshiron heqjen e sanksioneve në këmbim të kufizimeve në programin e tij bërthamor që do ta pengonin atë të ndërtonte bombë atomike. Zyrtarët amerikanë, të cilët më parë thanë se do të pranonin pasurimin e uraniumit në nivel të ulët nga Teherani, kohët e fundit deklaruan se kërkojnë që Irani të ndalojë të gjitha nivelet e pasurimit të uraniumit.
Irani thekson se aktivitetet e tij të pasurimit të uraniumit në nivel të ulët nuk mund të negociohen.
Steve Witkoff, përfaqësuesi special i presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për ABC News tha se ata nuk mund ta lejojnë Iranin të pasurojë uranium as deri në 1 për qind. "Pasurimi i uraniumit është një vijë e kuqe shumë e qartë për administratën e Trumpit. Ne nuk mund ta lejojmë këtë sepse pasurimi mundëson armatimin", tha ai.
Në përgjigje të kësaj, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, më 18 maj deklaroi se vendi i tij do të vazhdojë aktivitetet e pasurimit të uraniumit pavarësisht nëse do të ketë apo jo marrëveshje dhe se këmbëngulja e SHBA-së për këtë çështje do të ndalojë negociatat.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.