Cisternat e ujit mbërrijnë në Gazën veriore derisa banorët kthehen në shtëpi
Gjithsej shtatë cisterna uji kaluar nga Gaza jugore drejt Gazës veriore për të siguruar ujë të pijshëm të pastër për palestinezët që po kthehen në shtëpitë e tyre pas armëpushimit të arritur midis Izraelit dhe Hamasit
Gaza
Cisternat e ujit kanë arritur në Gazën veriore duke ofruar furnizime kritike derisa banorët e zhvendosur po kthehen në lagjet e tyre të shkatërruara, transmeton Anadolu.
Gjithsej shtatë cisterna uji kaluan nga Gaza jugore drejt Gazës veriore për të siguruar ujë të pijshëm të pastër për palestinezët që po kthehen në shtëpitë e tyre pas armëpushimit të arritur midis Izraelit dhe Hamasit.
Megjithatë, pavarësisht armëpushimit qeveria e Gazës së fundmi deklaroi se Izraeli po vonon zbatimin e dispozitave humanitare të armëpushimit.
Salama Marouf, kreu i Zyrës për Media të Qeverisë së Gazës, tha se "pavarësisht se kanë kaluar 20 ditë që nga marrëveshja, situate humanitare mbetet katastrofike për shkak të pengesave izraelite".
"Marrëveshja mandaton hyrjen ditore të 600 kamionëve me ndihma, përfshirë 50 kamionë me karburant, së bashku me sigurimin e 60 mijë njësive të lëvizshme të banimit, 200 mijë tendave, gjeneratorëve, paneleve diellore dhe materialve për rindërtimin e Gazës", shpjegoi Marouf.
Ai shtoi se marrëveshja gjithashtu përfshin "heqjen e mbeturinave, rehabilitimin e objekteve shëndetësore, furrave të bukës dhe infrastrukturës, si dhe sigurimin e lëvizjes së pacientëve dhe të lënduarve përmes kalimit Rafah".
Megjithatë, sipas tij, vetëm 8.500 kamionë kanë hyrë në Gaza që nga 19 janari kur hyri në fuqi marrëveshja, respektivisht shumë më poshtë se 12 mijë që pritej në kuadër të marrëveshjes.
Ai tha se shumica e këtyre kamionëve përmbajnë pako ushqimore, fruta dhe perime, ndërsa ndihma kritike si furnizimet e strehimit dhe pajisjet mjekësore po vonohen qëllimisht nga pala izraelite.
Më 19 janar, një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi në Gaza, duke ndalur luftën gjenocidale të Izraelit, e cila që nga 7 tetori i vitit 2023 ka vrarë të paktën 47.600 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e ka lënë enklavën në gërmadha.
Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
