Bota

Çavuşoğlu: Rusia dhe Ukraina të ruajnë qetësinë dhe t'i ulin tensionet

"Ne si Turqi jemi në kontakt me Rusinë dhe Ukrainën dhe këshillojmë të dyja palët të ruajnë qetësinë dhe t'i ulin tensionet", tha ministri i Jashtëm turk, Çavuşoğlu

Ömer Tuğrul Çam  | 01.12.2021 - Përdıtësım : 01.12.2021
Çavuşoğlu: Rusia dhe Ukraina të ruajnë qetësinë dhe t'i ulin tensionet ( Fatih Aktaş - Anadolu Agency )

Riga

Ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu tha se si Turqi, ata janë në kontakt me Rusinë dhe Ukrainën dhe këshillojnë të dyja palët të ruajnë qetësinë dhe t'i ulin tensionet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu u përgjigj në pyetjet e gazetarëve në fillim të ditës së dytë të takimit të Ministrave të Jashtëm të NATO-s.

I pyetur lidhur me kërkesën për anëtarësimin e Ukrainës në NATO, Çavuşoğlu tha se Turqia mbështet zgjerimin. “Presidenti ynë Recep Tayyip Erdoğan dhe ne e theksojmë këtë në samitet e NATO-s dhe takimet ministrore”, tha Çavuşoğlu.

Ndërsa në pyetjen se si e vlerëson "qëndrimin agresiv të Rusisë?" Çavuşoğlu tha: "Ne jemi në kontakt me të dyja palët. Ne rekomandojmë qetësi dhe de-përshkallëzim. Kohët e fundit kam folur me ministrat e Jashtëm të të dy vendeve, Sergey Lavrov dhe Dmytro Kuleba. Të premten, presidenti ynë do të flasë me presidentin rus, Vladimir Putin. Do ta takoj Kuleban sot këtu, nesër do ta shoh edhe në Stokholm. Do ta takoj edhe Lavrovin nesër në Stokholm. Kështu që ne jemi në kontakt me të dyja palët dhe i këshillojmë të ruajnë qetësinë dhe të ulin tensionet".

Kur u pyet për mendimet e tij për sanksionet e mundshme kundër Rusisë, Çavuşoğlu u përgjigj:

"Si Turqi, ne nuk besojmë se sanksionet do t'i zgjidhin problemet. Në të kaluarën aplikoheshin për këtë apo këtë vend, por nuk zgjidheshin. Ndonjëherë ne ishim subjekt i sanksioneve. Sanksionet nuk i zgjidhin problemet. Në vend të sanksioneve, për shembull, ne duhet të kemi parandalim kuptimplotë. Ajo që ne besojmë si Turqi është ekuilibri i duhur midis parandalimit dhe dialogut. Ukrainës apo ndonjë vendi tjetër nuk mund t'i ndihmohet vetëm përmes sanksioneve".

Sot ku filluan seancat e ditës së dytë dhe të fundit të takimit të ministrave të Jashtëm të NATO-s, në seancën e mëngjesit diskutohet për Rusinë, e cila thuhet se ka shtuar aktivitetet e saj ushtarake në kufirin me Ukrainën. Në këtë seancë marrin pjesë edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Kuleba dhe ai i Gjeorgjisë, David Zakalaliani.

Pas seancës për Afganistanin gjatë ditës do të mbahet sesioni “Ballkani Perëndimor” me pjesëmarrjen e ministrave të Punëve të Jashtme të Finlandës dhe Suedisë dhe përfaqësuesit të lartë të BE-së për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın