Bota

Çavuşoğlu në Bruksel: Të krijohet atmosferë pozitive në marrëdhëniet Turqi-BE

"Është i rëndësishëm krijimi i atmosferës pozitive në marrëdhëniet Turqi-BE. Duhet të ndërmerren hapa konkretë që kjo të jetë e vazhdueshme", tha ministri Çavuşoğlu

Ata Ufuk Şeker  | 21.01.2021 - Përdıtësım : 22.01.2021
Çavuşoğlu në Bruksel: Të krijohet atmosferë pozitive në marrëdhëniet Turqi-BE

Bruksel

Ministri i jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu përpara takimit me shefin e diplomacisë evropiane, Josep Borrell deklaroi se "Është i rëndësishëm krijimi i atmosferës pozitive në marrëdhëniet Turqi-Bashkim Evropian", transmeton Anadolu Agency (AA).

Pasi tha se sot dhe nesër në Bruksel do të zhvillojë takime intensive, Çavuşoğlu bëri të ditur se viti 2020 ka qenë një vit problematik në marrëdhëniet Turqi-BE.

"Pas deklaratës së përbashkët në Samitin e mbajtur në dhjetor të dyja palët paraqitën një vullnet politik për të krijuar një atmosferë më pozitive. Gjithashtu ka pasur deklarata të ndërsjella pozitive nga pikëpamja që marrëdhëniet të zhvillohen më shëndetshëm. Kemi siguruar një mundësi më të mirë dialogu. Për këtë arsye ndodhem sot në Bruksel", tha Çavuşoğlu.

Pasi rikujtoi se presidenti Recep Tayyip Erdoğan ka ftuar në Turqi, presidentin e Këshillit Evropian Charles Michel dhe presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Çavuşoğlu njoftoi se me Borrell do të fillojnë përgatitjet e këtyre vizitave të mundshme.

"Është i rëndësishëm krijimi i atmosferës pozitive në marrëdhëniet Turqi-BE. Duhet të ndërmerren hapa konkretë që kjo të jetë e vazhdueshme. Sot me të nderuarin Borrell do të bëjmë ndjekjen e proceseve që kemi filluar më parë. Ne ia kishim përcjellë propozimin tonë për përditësimin e dakordimit për migracionin. Do të bisedojmë për detajet e kësaj. Gjithashtu kemi bërë propozimin për një konferencë shumëpalëshe për Mesdheun Lindor", tha Çavuşoğlu duke shtuar: 

"Do të bisedojmë për hapat që mund të ndërmarrim lidhur me këtë konferencë. Do të vlerësojmë hapat konkretë që mund të hedhim në proceset e mëpasshme, përfshirë liberalizimin e vizave, përditësimin e marrëveshjes së Unionit Doganor". 

Ai tha se gjatë bisedave të tij në Bruksel do t'u transmetojë bashkëbiseduesve të tij pritshmëritë e Turqisë nga BE-ja dhe se do të dëgjojë pritshmëritë e BE-së për Turqinë.

Duke vënë në dukje që marrëdhëniet Turqi-BE nuk janë të rëndësishme vetëm për të dyja palët, Çavuşoğlu tha: "Ka probleme serioze që vazhdojnë në rajonin tonë. Bashkëpunimi Turqi-BE është i rëndësishëm edhe nga pikëpamja për të gjetur zgjidhje ndaj këtyre".

"Ka një atmosferë më të mirë"

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Josep Borrell tha se "ka një atmosferë më të mirë tek të dyja palët".

"Turqia dhe BE-ja mund të veprojnë në kornizën e qasjes reciproke. Shpresoj se mund të punojmë për një marrëdhënie që të ndërtojë bashkëpunim për përparimin e mëtejshëm të marrëdhënieve të bazuara në interesa të ndërsjella", tha Borrell.

Ai rikujtoi se këtë javë mes Turqisë dhe Greqisë do të fillojnë bisedimet eksploruese. "Për këtë çështje janë shprehur qëllimet dhe presim që tashmë këto të paraqiten në hapa", shtoi Borrell.

Shefi i diplomacisë evropiane rikujtoi se Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres ka bërë një deklaratë lidhur me rifillimin e bisedimeve në ishullin e Qipros. "Ne në këtë kuadër presim që në mënyrën më të shpejtë të fillojnë këto bisedime", tha Borrell i cili shtoi se "Dëshirojmë që tensionet në Mesdheun Lindor të ulen në mënyrë të vazhdueshme".

Lidhur me mosmarrëveshjet rajonale si Siria dhe Libia, Borrell bëri të ditur se shpreson që të zgjidhet me dialog gjithëpërfshirës dhe të ulen tensionet. "Sot në takimin tonë do të vlerësojmë zhvillimet në Turqi, situatën politike në mënyrë të hapur dhe në kuadër të respektit reciprok. Në të njëjtën kohë ne e dimë se me sa dëshirë e pret këtë dialog shoqëria turke. Sigurisht që në Turqi ka zhvillime të jashtëzakonshme lidhur me disa çështje. Dhe këto i ndjekim nga afër sepse është një fqinj jashtëzakonisht i rëndësishëm", tha ai.

Çavuşoğlu takohet me deputetët e PE-së

Përpara takimit me Borrell, ministri Çavuşoğlu u takua me Ryszard Czarnecki, kryetarin e Grupit të Miqësisë, Bashkimi Evropian - Turqi në Parlamentin Evropian dhe me Sergey Lagodinsky, bashkëkryetarin e Komisionit të Përbashkët Turqi-BE.

Nga llogaria në median sociale lidhur me takimet, Çavuşoğlu postoi mesazhin: "I kushtojmë rëndësi diplomacisë parlamentare. PE-ja duhet të jetë konstruktive për rigjallërimin e marrëdhënieve me BE-në. Grupi i Miqësisë Turqi-BE mund të luajë një rol të rëndësishëm në formimin e axhendës pozitive me BE-në".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın