Bota

Cape Agulhas, pika më jugore e Afrikës dhe vendi ku kryqëzohen oqeanet

Cape Agulhas (Kepi i Agulhas), pika më jugore e Afrikës, në të njëjtën kohë është kufiri që ndan Oqeanin Atlantik dhe Oqeanin Indian

06.04.2023 - Përdıtësım : 07.04.2023
Cape Agulhas, pika më jugore e Afrikës dhe vendi ku kryqëzohen oqeanet Foto: Murat Özgür Güvendik/AA

Cape Town

MURAT ÖZGÜR GÜVENDİK

Cape Agulhas (Kepi i Agulhas), pika më jugore e Afrikës, në të njëjtën kohë është kufiri që ndan Oqeanin Atlantik dhe Oqeanin Indian, shkruan Anadolu.

Edhe pse në shumicën e rasteve kur flitet për skajin më jugor të kontinentit mendohet se ai është Cape of Good Hope (Kepi i Shpresës së Mirë), por në të vërtet ky epitet i takon kepit të Agulhas që gjendet në largësi prej 2.5 orësh nga Cape Town. Kepi i Shpresë së Mirë, nga ana tjetër, është skaji më jugperëndimor i kontinentit.

Agulhas në gjuhën portugeze do të thotë "gjilpëra", të cilat kanë të bëjnë me gjilpërat e busullës. Versioni portugez i kepit, i cili u quajt Agulhas, përdoret ende sot, pasi marinarët portugezë kuptuan se devijimi magnetik i busullave të tyre u korrigjua në këtë pikë.

- Fanar deti i Kepit Agulhas

Udhëtimi për në kep, i vendosur në skajin më të largët të Parkut Kombëtar Kepi Agulhas, i cili është nën administrimin e Parqeve Kombëtare të Afrikës së Jugut (SANPARK), kryhet me një udhëtim të këndshëm që përfshin fshatra dhe qytete me arkitekturën e tyre afrikano-jugore.

Fanari i detit i ndërtuar në vitin 1848 i pret vizitorët në dalje të qytezëz L'Agulhas, ndërsa është fanar i dytë më i vjetër aktiv në vend. Fanari i parë më i vjetër është ai në Cape Town, fanari "Green Point" i ndërtuar në vitin 1824.

Fanari mund të vizitohet duke paguar 80 rand jugoafrikanë (4 dollarë amerikanë). Vizitorët, të cilët arrijnë majën duke ngjitur 71 shkallët shumë të pjerrëta dhe të ngushta me hapa të kujdesshëm, shijojnë pamjen unike të dy oqeaneve në të njëjtin kuadër.

Ndër vendet që më së shumti turistët fotografohen në Kepin Agulhas, është monumenti prej guri në bregdet. Mbi të me punime metalike në gjuhën jugoafrikane dhe angleze shkruan: "Tani gjendeni në pikën më jugore të Afrikës", ndërsa kalon edhe një vijë imagjinare që ndan Oqeanin Indian dhe atë Atlantik.

Këtu gjithashtu gjendet edhe harta e Afrikës e gjatë 18 metra nga jugu deri në veri, e gdhendur në tokë.

Është gjithashtu e mundur të hasësh mbetjet e anijeve të fundosura në kepin Agulhas, i cili ka qenë një varrezë për shumë detarë në histori për shkak të ujërave të cekëta, shkëmbinjve të mprehtë, valëve të furishme dhe erërave të forta.

Ndër to është edhe anija japoneze e peshkimit "Meisho Maru No. 38", e cila është fundosur në afërsi të kepit në vitin 1982.

Sipas informacionit të marrë nga zyrtarët e SANPARK, Kepi ​​Agulhas është ndër vendet më të preferuara për të parë balenat migruese në periudhën qershor-shtator.

Rajoni ka edhe biodiversitet dhe larmi të pasur shpendësh. Hyrja në park është pa pagesë, në krahasim me parqet tjera kombëtare.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın