Burime pakistaneze të sigurisë: Rrëzohen 5 avionë luftarakë të Indisë
"Të gjitha avionët e Forcave Ajrore të Pakistanit janë të sigurta. Forcat e Armatosura të Pakistanit i përgjigjen në mënyrë të përshtatshme agresionit armik", thanë burimet

Ankara
Ushtria e Pakistanit njoftoi se ka rrëzuar 5 avionë luftarakë dhe 1 dron të Indisë, transmeton Anadolu.
Sipas lajmit të "Geo News", burimet pakistaneze të sigurisë folën për hakmarrjen ndaj sulmeve me raketa të Indisë.
Burimet njoftuan se janë rrëzuar 5 avionë luftarakë dhe 1 dron të Indisë. "Të gjitha avionët e Forcave Ajrore të Pakistanit janë të sigurta. Forcat e Armatosura të Pakistanit i përgjigjen në mënyrë të përshtatshme agresionit armik", thanë burimet.
Sipas burimeve të sigurisë, ushtria pakistaneze goditi selinë e një njësie indiane si pjesë e një sulmi hakmarrës. Nuk u dhanë detaje në lidhje me vendndodhjen e selisë.
Një pikë kontrolli indian në sektorin Dudhnial pranë Vijës së Kontrollit (Line of Control - LoC) midis Pakistanit dhe Indisë u shkatërrua gjithashtu në një sulm me raketa.
Sipas lajmeve të televizionit Samaa në Pakistan, Islamabadi mbylli hapësirën e tij ajrore për 48 orë dhe pezulloi të gjitha fluturimet vendase dhe ndërkombëtare.
Zyrtarë të lartë qeveritarë që folën për "India Today" thanë se asnjë avion luftarak indian nuk u rrëzua.
Sipas raportimeve në mediat indiane, ushtria indiane tha se Pakistani hapi zjarr nga pozicionet në Vijën e Kontrollit dhe kufirin e Xhamu Kashmirit.
Sipas njoftimit, si rezultat i zjarrit të hapur kanë humbur jetën 3 civilë.
Përshkallëzimi midis fqinjëve të armatosur me armë bërthamore vjen pas sulmit të 22 prillit në Pahalgam në Kashmirin e administruar nga India, ku u vranë 26 persona.
India fajësoi Pakistanin për sulmin, duke pretenduar se sulmi kishte lidhje ndërkufitare, por Pakistani mohoi se ka ndonjë lidhje me vrasjet.
Pas sulmit në Pahalgam, të dy vendet morën një sërë masash kundër njëri-tjetrit, përfshirë pezullimin e vizave dhe dëbimin e diplomatëve.