Bota

Britania, Japonia dhe Italia do të prodhojnë avionët luftarakë të gjeneratës së ardhshme

"Avioni luftarak i ardhshëm anti-radar (stealth), lider në botë synon të përmirësojë aftësitë ushtarake, prosperitetin dhe përfitimet strategjike për të tre vendet", tha Ministria britanike e Mbrojtjes

Burak Bir  | 14.12.2023 - Përdıtësım : 14.12.2023
Britania, Japonia dhe Italia do të prodhojnë avionët luftarakë të gjeneratës së ardhshme

Londër

Britania e Madhe ka nënshkruar traktat ndërkombëtar me Japoninë dhe Italinë për një program të ardhshëm ajror për zhvillimin e avionit luftarak inovativ anti-radar, njoftoi të enjten Ministria britanike e Mbrojtjes, transmeton Anadolu.

Traktati do të ketë selinë e Programit Global Combat Air (GCAP), partneriteti i mbrojtjes midis tre vendeve, me qendër në Britani.

"Avioni luftarak i ardhshëm anti-rarad (stealth), lider në botë synon të përmirësojë aftësinë ushtarake, prosperitetin dhe përfitimet strategjike për të tre vendet", thuhet në deklaratën e Ministrisë së Mbrojtjes.

Deklarata shton më tej se programi synon të zhvillojë një avion luftarak inovativ 'stealth' me aftësi supersonike dhe të pajisur me teknologji të fundit që do të mbështesë stabilitetin e ardhshëm Indo-Paqësor dhe sigurinë më të gjerë globale.

"Selia me bazë në Britani është vendi ku do të merren vendime të rëndësishme në bashkëpunim dhe me ritëm, duke punuar me partnerët tanë të ngushtë Italinë, Japoninë dhe industritë tona mbresëlënëse të mbrojtjes, për të ofruar një avion të jashtëzakonshëm", tha në deklaratë sekretari britanik i Mbrojtjes, Grant Shapps.

Avioni i planifikuar do të ketë radar të fuqishëm që mund të sigurojë 10 mijë herë më shumë të dhëna sesa sistemet aktuale, duke siguruar avantazh në betejë. Ministria e Mbrojtjes njoftoi se grupi i punës i Britanisë do të vizitojë Japoninë në kuadër të dislokimit në Indo-Paqësor 2025.

"Dislokime të tilla dërgojnë mesazh të fortë parandalues duke paraqitur mundësi të rëndësishme për angazhime me partnerët tanë", tha Shapps.

"Japonia është partneri ynë më i ngushtë i sigurisë në Azi dhe vizita e grupit të punës në vend do të shërbejë vetëm për të forcuar lidhjet tona ushtarake dhe diplomatike", tha Shapps.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.