Britania: Irani nuk mund ta mbajë peng ekonominë globale duke bllokuar Ngushticën e Hormuzit
"Irani nuk mund thjesht ta mbajë peng ekonominë globale si rezultat i një ngushtice, e cila lidhet me rrugët ndërkombëtare të transportit detar", tha sekretarja e jashtme britanike, Cooper
Londër
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Yvette Cooper ka dënuar sulmet e Iranit ndaj vendeve fqinje dhe bllokimin e transportit ndërkombëtar përmes Ngushticës së Hormuzit, duke theksuar se Teherani nuk mund të lejohet të mbajë peng ekonominë globale, transmeton Anadolu.
"Irani nuk mund thjesht ta mbajë peng ekonominë globale si rezultat i një ngushtice, e cila lidhet me rrugët ndërkombëtare të transportit detar dhe lirinë e lundrimit që është mbështetur fuqishëm në OKB", u tha Cooper gazetarëve në Paris, përpara një takimi të ministrave të jashtëm të G7.
Cooper tha se ka nevojë për një zgjidhje të shpejtë të konfliktit në Lindjen e Mesme që do të rikthente stabilitetin rajonal, përfshirë edhe Ngushticën e Hormuzit. "Kjo është arsyeja pse më shumë se 30 vende po bashkohen për të diskutuar proceset e nevojshme për të siguruar rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe mbrojtjen e transportit ndërkombëtar", theksoi ajo.
Cooper theksoi nevojën për partneritet, përfshirë diplomacinë, për të adresuar situatën.
Ngushtica e Hormuzit është ndërprerë në mënyrë efektive që nga fillimi i marsit. Rreth 20 milionë fuçi nafte kalojnë zakonisht çdo ditë përmes kësaj rruge ujore dhe ndërprerja e saj ka rritur kostot e transportit dhe ka shtyrë çmimet globale të naftës në rritje.
Prej gati një muaji, SHBA-ja dhe Izraeli kanë kryer një ofensivë ajrore ndaj Iranit, duke shkaktuar deri më tani mbi 1.340 viktima, përfshirë edhe ish-liderin suprem Ali Khamenei.
Irani është kundërpërgjigjur me sulme me dronë dhe raketa që synojnë Izraelin, si dhe Jordaninë, Irakun dhe vendet e Gjirit që strehojnë asete ushtarake amerikane, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturë si dhe duke ndikuar në tregjet globale dhe në aviacion.
