Bota

"Britania dhe Turqia pajtohen rreth zgjidhjes politike në Libi"

Kryediplomati turk Çavuşoğlu realizoi vizitë në Londër, ku takoi homologun Dominic Raab dhe kryeministrin britanik Johnson

Ahmet Gürhan Kartal  | 08.07.2020 - Përdıtësım : 09.07.2020
"Britania dhe Turqia pajtohen rreth zgjidhjes politike në Libi" ( Fatih Aktaş - Anadolu Agency )

Londër

Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar pajtohen për një zgjidhje diplomatike në Libi, tha ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu, raporton Anadolu Agency (AA).

Çavuşoğlu, i cili gjendet në një vizitë pune njëditore në Londër, tha se Turqia mendon se zgjidhja e vetme për konfliktin në Libi është një zgjidhje politike.

"Ne duhet t'i japim ritmin këtij procesi politik nën çatinë e OKB-së", tha shefi i diplomacisë turke.

Kushtet e qeverisë legjitime të Fayez al-Sarraj në Libi duhet të përmbushen për armëpushim në Libi dhe ai duhet të jetë një armëpushim i përhershëm, vuri në dukje Çavuşoğlu.

Deklaratat e tij erdhën pas një takimi me kryeministrin britanik Boris Johnson në Downing Street.

Ministri i Jashtëm turk më herët u takua me homologun e tij Dominic Raab.

Çavuşoğlu tha se gjatë takimit me Raab dhe Johnson kanë biseduar për marrëdhëniet në epokën pas pandemisë, marrëveshjen bilaterale të tregtisë së lirë pas Brexitit, bashkëpunimin në turizëm, turizmin shëndetësor dhe industritë e mbrojtjes, si dhe çështje të tjera ndërkombëtare dhe rajonale, përfshirë Libinë, Sirinë dhe NATO-n.

Kryediplomati turk tha se ai gjithashtu u takua me Jeffrey Donaldson, kryetarin e Grupit Parlamentar Mbarëpartiak për Turqinë në Parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, dhe Wendy Morton, ministren për Fqinjësinë Evropiane dhe Amerikën.

Ai theksoi se Turqia dhe Britania do të jenë në bashkëpunim në shumë fusha pas Brexitit, duke shtuar se "edhe nëse Mbretëria e Bashkuar largohet nga BE-ja, ajo do të vazhdojë të jetë një nga pjesët më të rëndësishme të kontinentit evropian".

Çavuşoğlu tha gjithashtu se krahas marrëveshjes bilaterale të tregtisë, ata kanë diskutuar edhe të ardhmen e marrëveshjejes për skemën e vizave për biznesmenët turq, të njohur edhe si Marrëveshja e Ankarasë, për të parandaluar efektet e mundshme të Brexitit mbi qytetarët turq.

Ai po ashtu njoftoi se Turqia do të hapë një konsullatë në Manchester për të ofruar shërbim cilësor për qytetarët turq.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.