Brenda 5 ditësh vetëm 534 kamionë me ndihma janë lejuar të hynë në Gaza
Zyra e medias e Qeverisë në Gaza akuzon Izraelin për nxitjen e "kaosit të qëllimshëm" për të bllokuar ndihmën humanitare të hyjë në Gaza

Istanbul
Dërgesat e ndihmave në Rripin e Gazës mbeten shumë më poshtë nevojave, me vetëm 534 kamionë nga rreth 3.000, që kanë hyrë gjatë pesë ditëve të fundit, tha Zyra e medias e Qeverisë në Gaza, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, zyra tha se numri i kufizuar i kamionëve që ia dolën mbanë "u plaçkitën në mes të kaosit të qëllimshëm të orkestruar nga pushtimi izraelit për të prodhuar zi buke dhe paqëndrueshmëri dhe për të minuar rezistencën e popullit palestinez".
Sipas zyrës, një total prej 3.188 kamionësh kanë mbërritur në Gaza gjatë 35 ditëve të fundit, duke përfaqësuar më pak se 15 për qind të rreth 21.000 kamionëve të nevojshëm për të përmbushur nevojat themelore humanitare.
Që nga 2 marsi, autoritetet izraelite kanë mbyllur plotësisht të gjitha pikat kufitare të Gazës, duke e shtyrë popullsinë prej 2.4 milionë banorësh të territorit në zi buke.
Një vlerësim i sigurisë ushqimore i mbështetur nga OKB-ja ka konfirmuar tashmë zi buke në Gazën veriore dhe pret që ajo të përhapet më tej në jug deri në fund të shtatorit.
Ministria e Shëndetësisë në Gaza tha të hënën se uria ka vrarë 348 palestinezë që nga 7 tetori 2023, përfshirë 127 fëmijë.
Izraeli ka vrarë mbi 63.500 palestinezë në Gaza që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me urinë.
Në nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhra arresti për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.