Brazili sfidon tarifat e vendosura nga SHBA-ja, kërkon zyrtarisht konsultime me OBT-në
Qeveria braziliane njoftoi një hap formal për të sfiduar tarifën 50 për qind të presidentit Trump ndaj mallrave braziliane

Bogota
Qeveria e Brazilit ka kërkuar zyrtarisht konsultime me Organizatën Botërore të Tregtisë (OBT) lidhur me tarifat e vendosura nga Shtetet e Bashkuara ndaj produkteve braziliane, sipas një njoftimi të Ministrisë së Jashtme. Kjo kërkesë, e dorëzuar në misionin e SHBA-së pranë organizatës, përfaqëson hapin e parë zyrtar në një mosmarrëveshje tregtare, transmeton Anadolu.
“Brazili ka paraqitur një kërkesë për konsultime me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në kuadër të Sistemit për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të OBT-së”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
Presidenti Luiz Inacio Lula da Silva kishte paralajmëruar më herët se qeveria e tij do të paraqiste një ankesë zyrtare në OBT për të përmbysur tarifat e SHBA-së, të cilat ai i konsideron si shkelje të rregullave ndërkombëtare të tregtisë.
Presidenti amerikan Donald Trump ka vendosur një tarifë prej 50 për qind ndaj importeve nga Brazili, duke e lidhur këtë veprim me atë që ai e ka quajtur “gjueti shtrigash” ndaj aleatit të tij politik, ish-presidentit Jair Bolsonaro, i cili aktualisht po përballet me gjyq për një përpjekje të dyshuar për grusht shteti pas humbjes në zgjedhjet e vitit 2022.
Sipas vlerësimeve nga Ministria e Zhvillimit, Industrisë dhe Tregtisë (MDIC), rreth 36 për qind e eksporteve braziliane drejt SHBA-së do të preken nga këto tarifa.
“Duke vendosur këto masa, SHBA-ja shkel hapur angazhimet kryesore të bëra në kuadër të OBT-së, siç janë parimi i kombit më të favorizuar dhe tavanet tarifore të negociuara në atë organizatë”, shtohet në deklaratë.
Megjithëse veprimi është zyrtarizuar, trupi apelues i OBT-së ka qenë i paralizuar në trajtimin e apelimeve që nga dhjetori 2019, kur SHBA-ja filloi të bllokojë sistematikisht emërimin e gjyqtarëve të rinj.
Zëvendëspresidenti brazilian Geraldo Alckmin konfirmoi se “vendi është i gatshëm të mbrojë interesat e tij tregtare përmes OBT-së” dhe se tani presidenti Lula do të përcaktojë hapat e ardhshëm të konsultimeve, që mund të çojnë në një ankesë zyrtare dhe formimin e një paneli ekspertësh.
Ky hap i qeverisë braziliane shërben gjithashtu për të forcuar rolin e vendit në tregtinë globale dhe për të dërguar një mesazh politik për qeverinë amerikane. Nisma po zhvillohet paralelisht me përpjekjet për negociata të drejtpërdrejta mes dy vendeve.
Ministri i Financave, Fernando Haddad, ka njoftuar se do të takohet me Sekretarin amerikan të Thesarit, Scott Bessent, më 13 gusht për të diskutuar tarifat. Ai ka thënë se qeveria Lula është duke përgatitur një paketë mbështetjeje për sektorët e prekur nga këto tarifa.