Politikë, Bota

"Bota duhet të falënderojë Izraelin për vrasjen e Fakhrizadeh"

Deklarata e zyrtarit izraelit për The New York Times tërhoqi vëmendjen ndërsa vrasja e Fakhrizadeh ka tronditur rajonin

Burak Dağ  | 30.11.2020 - Përdıtësım : 30.11.2020
"Bota duhet të falënderojë Izraelin për vrasjen e Fakhrizadeh"

Ankara

Bota duhet të falënderojë Izraelin për vrasjen e shkencëtarit bërthamor iranian Mohsen Fakhrizadeh, tha një zyrtar izraelit i cili foli në mënyrë anonime për mediat amerikane, raporton Anadolu Agency (AA).

Deklarata e zyrtarit për The New York Times tërhoqi vëmendjen ndërsa vrasja e Fakhrizadeh ka tronditur rajonin.

Edhe pse Izraeli zyrtarisht nuk ka marrë përgjegjësinë, komenti i zyrtarit tregon se Tel Avivi qëndron pas vrasjes.

Zyrtari izraelit, i cili thuhet se ishte i përfshirë për vite në ndjekjen e Fakhrizadeh, tha se Izraeli do të vazhdojë të ndërmarrë hapat e nevojshëm kundër programit bërthamor të Iranit.

Zyrtari theksoi se dëshira e Iranit për të fituar armë bërthamore, e cila u formua nga Fakhrizadeh, është duke paraqitur një kërcënim dhe bota duhet të falënderojë Izraelin për vrasjen.

Në një prezantim mbi programin bërthamor të Iranit në prill të vitit 2018, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu përmendi specifikisht emrin e Fakhrizadeh, i cili ishte i njohur si "truri" i programit bërthamor.

Sipas gazetës izraelite Yedioth Ahronoth, Netanyahu në konferencën për shtyp që mbajti mbi këtë çështje theksoi se Izraeli luajti rol në vrasjen e Fakhrizadeh.

Fakhrizadeh, i cili drejtoi kërkimet dhe inovacionet në ministrinë e Mbrojtjes, u sulmua të premten në qarkun Damavand pranë Teheranit. Sulmuesit thuhet se shpërthyen një automjet përpara Fakhrizadeh dhe qëlluan në drejtim të automjetit të tij, duke plagosur atë dhe të tjerët me të.

Të plagosurit u dërguan me urgjencë në një spital, ku Fakhrizadeh vdiq nga plagët e marra.

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, të shtunën iu bashkua zyrtarëve në akuzimin e Izraelit për vrasjen e shkencëtarit të lartë bërthamor.

Sulmi tërhoqi zemërim në të gjithë Iranin. Një grup i madh protestuesish u mblodhën jashtë zyrës së Rouhanit në Teheran të premten vonë dhe kërkuan hakmarrje të fortë.

Është vrasja e dytë e profilit të lartë në Iran që nga janari, kur një sulm ajror amerikan vrau gjeneralin Qasem Soleimani në Bagdad.

Zyrtarët iranianë shohin koordinimin Izrael-SHBA në këtë sulm.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.