Bota

Borrell: BE rrezikon të bëhet e parëndësishme pa mbrojtjen e saj

Duke folur në Konferencën e Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes në Bruksel, kryediplomati evropian paralajmëroi se pa një politikë më të fuqishme të mbrojtjes, BE së shpejti mund të bëhet e parëndësishme në "politikat e pushtetit"

Ekip  | 07.12.2021 - Përdıtësım : 08.12.2021
Borrell: BE rrezikon të bëhet e parëndësishme pa mbrojtjen e saj

Bruksel

Kreu i politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, tha se BE rrezikon të bëhet e parëndësishme në politikën globale nëse dështon të përforcojë kapacitetet mbrojtëse dhe nëse nuk shpenzon në inovacion, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në Konferencën e Agjencisë Evropiane të Mbrojtjes në Bruksel, Borrell paralajmëroi se pa një politikë më të fuqishme të mbrojtjes, BE së shpejti mund të bëhet e parëndësishme në "politikat e pushtetit".

Ai theksoi se pa investime të rëndësishme për të integruar teknologjitë më të reja në sistemet mbrojtëse të Evropës, BE do të humbasë përparësitë dhe ndërveprueshmërinë me partnerët përballë konkurrentëve.

"Ose investojmë shumë në inovacione të mbrojtjes, ose do të bëhemi të parëndësishëm në mbrojtje", theksoi ai, duke u bërë thirrje vendeve anëtare të BE-së që "të bëjnë më shumë bashkë, edhe atë që tani".

"Inovacioni po i jep formë baraspeshës globale të pushtetit", tha Borrell, duke folur rreth asaj se BE dhe vendet anëtare po ngelin prapa aktorëve tjerë globalë në harxhimet për inovacionet në fushën e mbrojtjes.

Duke bërë krahasim, Borrell tha se vitin e kaluar SHBA harxhoi 14 miliardë euro në inovacione të mbrojtjes, 14 herë më shumë se investimet e vendeve anëtare të BE-së.

Ai gjithashtu tha se inovacionet në sektorin civil kanë një ndikim të madh në mbrojtje, veçanërisht në fushën kibernetike, duke theksuar se në vitin 2020, kompania Alphabet/Google ka harxhuar 10 herë më shumë në kërkime dhe inovacion në krahasim me të gjitha ministritë e mbrojtjes së BE-së së bashku.

Sipas kryediplomatit evropian, strategjia e tij e mbrojtjes e publikuar së fundmi, e quajtur "Busulla Strategjike", ofron një zgjidhje për këto probleme.

Udhëzuesi, i cili muajin e kaluar iu prezantua ministrave të Jashtëm dhe të Mbrojtjes të vendeve të BE-së, përcakton katër propozime konkrete me afate për të përforcuar mbrojtjen e BE-së, siç janë krijimi i një force prej 5.000 trupash që mund të dislokohen me shpejtësi, investimi në kapacitetet industriale dhe sigurimi i BE-së kundër sulmeve kibernetike.

Dokumenti përfundimtar pritet të miratohet në muajin mars.

Bazuar nga mësimet në Luftërat Jugosllave, ideja për reformimin dhe përforcimin e politikës së mbrojtjes dhe sigurisë së BE-së është diskutuar që nga mesi i viteve të 1990-ta.

Megjithatë, vendet anëtare të BE-së nuk kanë arritur të avancojnë politikat për shkak të ndjeshmërisë së lartë të temës dhe interesave të ndryshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın