Bota

Borrell: BE-ja duhet të jetë në gjendje të ndërhyjë ushtarakisht në kriza

Në një adresim në një konferencë të organizuar nga shërbimi diplomatik i unionit dhe Instituti i BE-së për studimet e sigurisë, Borrell paralajmëroi se “ne po jetojmë momentin më të rrezikshëm që nga fundi i Luftës së Ftohtë”

Ekip  | 25.01.2022 - Përdıtësım : 25.01.2022
Borrell: BE-ja duhet të jetë në gjendje të ndërhyjë ushtarakisht në kriza Foto: AA/Arkiv

Bruksel

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian (BE), Josep Borrell, ka deklaruar se blloku evropian duhet të jetë në gjendje të “hedh çizmet në terren” dhe të ketë aftësi luftarake në kriza, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një adresim në një konferencë të organizuar nga shërbimi diplomatik i unionit dhe Instituti i BE-së për studimet e sigurisë, Borrell paralajmëroi se “ne po jetojmë momentin më të rrezikshëm që nga fundi i Luftës së Ftohtë”.

Borrell shpjegoi se kërcënimi rus kundër Ukrainës është vetëm një komponent i rrezikut kundër Evropës, si dhe shtoi se ka edhe disa zona të tjera të konfliktit tek fqinjët e bllokut evropian, si Siria dhe Briri i Afrikës.

Ai theksoi se konkurrenca strategjike midis vendeve po bëhet më e rrezikshme se konfliktet tradicionale ushtarake. Në këtë kontekst të sigurisë, Borrell tha se vendet anëtare të BE-së duhet t’i mundësojnë bllokut të mbajë mbi supe “përgjegjësitë strategjike”, duke shtuar se BE-ja mund të bëhet e pa rëndësishme në politikën ndërkombëtare pa forcuar kapacitetet e saj të sigurisë dhe të mbrojtjes.

Ai theksoi se BE-ja duhet të jetë në gjendje të “ndërhyjë shpejt në një krizë ku dhuna po kërcënon jetën e civilëve”.

Vitin e kaluar, Borrell u paraqiti vendeve anëtare strategjinë e tij të sigurisë dhe të mbrojtjes, të quajtur Kompasi Strategjik.

Udhëzuesi i veprimit përcakton propozime konkrete dhe afate kohore për forcimin e mbrojtjes së BE-së, të tilla si ngritja e një force të BE-së me 5 mijë trupa të dislokueshme dhe investim në aftësitë industriale dhe të sigurimit të bllokut evropian kundër sulmeve kibernetike.

Plani, i cili synon të forcojë kapacitetet mbrojtëse të BE-së në një mënyrë plotësuese me kërkesat e NATO-s, pritet të miratohet në muajin mars.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın