Bombardimet e reja izraelite vrasin 18 palestinezë në Gazën e shkatërruar
Gaza përballet me urinë, pasi lufta e Izraelit ka vrarë mbi 62.000 njerëz që nga tetori i vitit 2023

Stamboll
Të paktën 18 palestinezë u vranë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën në sulmet e reja izraelite në të gjithë Rripin e Gazës të shkatërruar nga lufta që nga orët e para të së martës, njoftoi agjencia zyrtare palestineze e lajmeve Wafa, transmeton Anadolu.
Në Khan Younis, dy palestinezë, përfshirë një vajzë të vogël, u vranë kur forcat izraelite goditën një tendë që strehonte familje të zhvendosura pranë Kolegjit Universitar.
Katër palestinezë të tjerë u vranë dhe disa të tjerë u plagosën pas një bombardimi izraelit ndaj një tende ku qëndrojnë palestinezët e zhvendosur në Al-Mawasi, në perëndim të Khan Younis.
Në Deir al-Balah të Gazës qendrore, Spitali i Martirëve të Al-Aksës raportoi se kishte marrë pesë trupa dhe disa të plagosur pas një sulmi ndaj një tende në zonën al-Bassa.
Pesë persona të tjerë u vranë kur forcat izraelite shënjestruan civilët pranë Kissufim në juglindje të Deir al-Balah, tha më vonë spitali.
Në qytetin e Gazës, dy trupa dhe 53 të plagosur u sollën në Kompleksin Mjekësor Shifa pasi bombardimet izraelite goditën turmat që prisnin ndihmë në zonën Zikim në veriperëndim të Beit Lahia, në pjesën veriore të enklavës.
Izraeli ka vrarë më shumë se 62.000 palestinezë në Gaza që nga tetori i vitit 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me urinë.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.