Bota

Bolivi, presidentja e përkohshme miraton ligjin për zgjedhje të reja

Ligji ia ndalon ish-presidentit Evo Morales që të kandidojë në çfarëdo zgjedhje

Zehra Nur Düz  | 25.11.2019 - Përdıtësım : 26.11.2019
Bolivi, presidentja e përkohshme miraton ligjin për zgjedhje të reja

Buenos Aires

Presidentja e përkohshme e vetëshpallur e Bolivisë, Jeanine Anez, miratoi ligjin me të cilin bëhet thirrje për zgjedhje të reja presidenciale dhe i cili ia ndalon kandidimin ish-presidentit Evo Morales, raporton Anadolu Agency (AA).

Ligji i quajtur "Regjimi i jashtëzakonshëm dhe i përkohshëm për zgjedhjet e përgjithshme" fillimisht u miratua nga Senati dhe nga Dhoma më e Ulët e Parlamentit të Bolivisë, Dhoma e Deputetëve.

Ligji ia ndalon kandidimin çdonjërit që ka shërbyer dy mandatet e fundit radhazi si president, gjë që do të përjashtonte ish-presidentin Morales.

Trazirat në Bolivi filluan në tetor, kur presidenti indigjen Evo Morales fitoi mandatin e katërt dhe u përball me rezistencë të menjëhershme nga partitë e opozitës që sfiduan rezultatet e zgjedhjeve. Protestuesit dolën në rrugë duke pretenduar mashtrime gjatë votimit.

Pas trazirave disajavëshe, Morales dha dorëheqjen nën presionin e ushtrisë dhe u transferua në Meksikë, ku iu ofrua azil politik.

Senatorja e atëhershme Jeanine Anez, një konservatore e opozitës, më pas e shpalli veten presidente të përkohshme.

Ndërkohë, demonstratat kanë vazhduar të mbahen nga mbështetësit kryesisht ruralë dhe indigjenë të Moralesit, përfshirë edhe kryeqytetin La Paz, që kur Morales u largua nga vendi.

Mbështetësit e Moralesit këmbëngulin se rrëzimi i ish-presidentit të zgjedhur ishte një grusht shteti.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın