Politikë, Bota

Blloku i Azisë Juglindore: Tarifat e njëanshme rrezikojnë të përkeqësojnë fragmentimin ekonomik global

- Sa i përket luftës izraelite në Rripin e Gazës nën rrethim, zyrtarët e ASEAN-it u bënë thirrje të gjitha palëve të përfshira të "ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin veprime që mund ta përkeqësojnë situatën"

Riyaz Khaliq Khaliq  | 11.07.2025 - Përdıtësım : 11.07.2025
Blloku i Azisë Juglindore: Tarifat e njëanshme rrezikojnë të përkeqësojnë fragmentimin ekonomik global

Istanbul

STAMBOLL (AA) - Sipas një deklarate të përbashkët nga shefat e diplomacisë së vendeve të Azisë Juglindore, tarifat e njëanshme janë "kundërproduktive dhe rrezikojnë të përkeqësojnë fragmentimin ekonomik global", transmeton Anadolu.

Duke shprehur "shqetësim" për tensionet në rritje në tregtinë globale dhe "pasiguritë në rritje" në peizazhin ekonomik ndërkombëtar, kryediplomatët e vendeve të Shoqatës së Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN) theksuan rëndësinë e Organizatës Botërore të Tregtisë për një tregti më të drejtë.

Deklarata e përbashkët u publikua pasi kryediplomatët u takuan për samitin e tyre të 58-të në Kuala Lumpur këtë javë.

"Ne theksuam rëndësinë e një sistemi tregtar shumëpalësh që është i parashikueshëm, transparent, gjithëpërfshirës, i lirë, i drejtë, i qëndrueshëm dhe i bazuar në rregulla", thuhet në deklaratë, pa përmendur drejtpërdrejtë SHBA-në, e cila ka vendosur tarifa ndaj aleatëve dhe rivalëve në mbarë botën muajt e fundit.

Sa i përket luftës izraelite në Rripin e Gazës nën rrethim, zyrtarët e ASEAN-it shprehën "shqetësim të madh" për tensionet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe u bënë thirrje të gjitha palëve të përfshira të "ushtrojnë vetëpërmbajtje dhe të shmangin veprime që mund ta përkeqësojnë situatën".

Duke nxitur diplomacinë dhe dialogun për paqe dhe stabilitet në rajon, deklarata e përbashkët theksoi: "Ne shprehëm shqetësim të thellë për situatën e rëndë humanitare në Gaza".

"Bëmë thirrje për rifillimin e plotë të qasjes humanitare të shpejtë, të sigurt, pa pengesa dhe të qëndrueshme për të gjithë ata që kanë nevojë, përfshirë përmes rritjes së kapaciteteve në pikat kufitare, përfshirë edhe nga deti", thuhet në deklaratë, duke kërkuar "armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm si dhe lirimin e menjëhershëm dhe pa kushte të të gjithë pengjeve".

Ata riafirmuan "mbështetjen" për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në përmbushjen e mandatit të saj. Duke iu referuar luftës së fundit 12-ditore mes Izraelit dhe Iranit, ministrat e jashtëm të bllokut ASEAN shprehën "shqetësim për përshkallëzimin e tensioneve në Lindjen e Mesme që nga 13 qershori 2025" dhe mirëpritën armëpushimin mes Izraelit dhe Iranit më 24 qershor.

"U bëmë thirrje të gjitha palëve të respektojnë armëpushimin dhe të shmangin përshkallëzime të mëtejshme të këtij konflikti. Ne riafirmuam detyrimin e të gjitha shteteve për të zgjidhur mosmarrëveshjet përmes mjeteve paqësore dhe për të respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha kombeve", thuhet në deklaratë, pa përmendur sulmet ajrore amerikane ndaj objekteve bërthamore iraniane.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.