Bllokada izraelite në Gaza i dënon fëmijët me uri dhe i privon nga trajtimi shëndetësor
Vajzës 12-vjeçare Rahaf i kanë rënë flokët dhe është dobësuar aq shumë saqë kockat e saj mund të numërohen dhe tani ajo nuk është në gjendje të ecë pa mbështetjen e prindërve të saj

Gaza
Dymbëdhjetë vjeçarja Rahaf Iyyad e cila jeton në veri të Gazës është në mesin e shumë fëmijëve palestinezë që luftojnë me kequshqyerjen dhe sëmundjet e padiagnostikuara, raporton Anadolu.
Në videon e cila është shpërndarë në rrjetet sociale, Rahaf thotë duke qarë "Dua të jem si më parë, t'i lë flokët të më rriten gjatë që të mund t'i kreh dhe të lutem në këmbë".
Vajzës 12-vjeçare Rahaf i kanë rënë flokët dhe është dobësuar aq shumë saqë kockat e saj mund të numërohen dhe tani ajo nuk është në gjendje të ecë pa mbështetjen e prindërve të saj. Nëna dhe babai i saj e kanë sjellë Rahaf në Spitalin e Fëmijëve "Rantisi" në qytetin e Gazës ndërsa ajo jeton me ëndrrën e kthimit në ditët e saj të vjetra.
Sëmundja e saj nuk mund të diagnostikohet për shkak të kolapsit të sistemit shëndetësor në Rripin e Gazës. Thuhet se edhe nëse vendoset një diagnozë, ajo nuk do të ketë mundësi trajtimi në një vend ku uria dhe shërbimet mjekësore janë të përhapura.
- Bllokada dhe privimi mund ta çojnë vajzën në vdekje
Kreu i Departamentit të Gastroenterologjisë në Spitalin e Fëmijëve "Rantisi" në qytetin e Gazës, dr. Ragıp Verş Aga tha se sipas rezultateve të analizave, Rahaf ka rrjedhje proteinash në urinë dhe vuan nga ushqyerja e pamjaftueshme.
Ai tha se sëmundja e Rahaf nuk është e re, por që nuk është vënë re sepse ajo ka qenë e ushqyer mirë më parë. "Kjo sëmundje u shfaq në mënyrë të qartë bashkë me bllokadën. Nëse kjo vajzë vazhdon kështu dhe humbet peshë, sistemi i saj imunitar do të dobësohet dhe mund të zhvillohen infeksione akute, të cilat mund të çojnë në vdekje", theksoi dr. Aga.
Pasi vuri në dukje se ata duan që pikat kufitare të hapen dhe të hyjnë furnizimet mjekësore, ilaçet dhe ushqimet, dr. Aga deklaroi: "Ne nuk mund të diagnostikojmë sëmundjet sepse nuk ka pajisje mjekësore dhe laboratorë të mjaftueshëm. Edhe para luftës ne përjetonim vështirësi me disa ilaçe, por tani kjo vështirësi është rritur edhe më shumë. Ky fëmijë duhet të dalë nga Gaza në mënyrë që t'i diagnostikohet sëmundja dhe të marrë trajtim".
- Nëna e saj dëshiron që vajza e saj të luajë me vëllezërit dhe motrat e saj si më parë
Nëna e Rahafit, Shuruk Ayyad tha se vajzës së saj i dhembin duart, këmbët dhe kockat, ka edemë, po i bien flokët dhe se gjendja e saj po përkeqësohet çdo ditë për shkak të bllokadës në Gaza.
Nëna tha se analizat e mëparshme që kishin kryer në Spitalin Baptist Al-Ahli ishin të vjetra dhe se janë kërkuar analiza të reja. "Mjekët kanë thënë se edhe 'nëse e diagnostikojmë, nuk kemi kurë, ilaçe, si mund ta trajtojmë?'".
Nëna Shuruk tregon dëshpërimin e saj duke thënë: "Dua që pikat kufitare të hapen, që vajza ime të dalë dhe të marrë trajtim, të kthehet në formën e saj të mëparshme dhe të luajë me vëllezërit dhe motrat e saj. Fëmijët tanë po vdesin para syve tanë, por ne nuk mund të bëjmë asgjë".