Bota

Blinken për tërheqjen nga Afganistani: Ne trashëguam një afat, jo plan

Kryediplomati amerikan tha se qëndrimi përtej afatit do të kishte rezultuar në rifillimin e sulmeve të talibanëve dhe, rrjedhimisht, në dërgimin e më shumë trupave amerikane

Michael Gabriel Hernandez  | 14.09.2021 - Përdıtësım : 15.09.2021
Blinken për tërheqjen nga Afganistani: Ne trashëguam një afat, jo plan Foto: AA/Arkiv

Washington

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dha argumentet e tij dje kundër kritikave të ashpra të Republikanëve mbi mënyrën në të cilën SHBA-ja u largua nga Afganistani pas dy dekadash lufte, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke dëshmuar para Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Blinken në mënyrë të përsëritur vuri në dukje faktin se administrata e presidentit Joe Biden u la me një marrëveshje që ish-presidenti amerikan Donald Trump e ndërmjetësoi drejtpërdrejt me talibanët për largimin e forcave amerikane, që supozohej të përfundonte deri më 1 maj. Në këmbim, talibanët ranë dakord të ndalojnë të gjitha sulmet ndaj pjesëtarëve të shërbimit amerikan.

“Ne trashëguam një afat. Nuk trashëguam një plan”, tha Blinken pas një pyetje të kongresistit demokrat Brad Sherman.

Blinken sot do të dalë para Komitetit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë.

Presidenti amerikan Joe Biden është kritikuar ashpër nga Republikanët për mënyrën në të cilën u bë tërheqja e SHBA-së. Biden po ashtu ka theksuar vazhdimisht faktin se atij iu dha një marrëveshje për t’u tërhequr nga Afganistani e negociuar para se ai të vinte në detyrë.

Megjithatë, Republikanët mbajtën vijën e partisë kundër presidentit Demokrat, ndërsa kongresisti Michael McCaul tha se tërheqja ishte një “fatkeqësi absolute e përmasave epike”.

“Unë kurrë nuk kam menduar gjatë jetës sime se do të shihja një dorëzim të pakushtëzuar ndaj talibanëve”, tha ai.

Blinken tha se nëse Shtetet e Bashkuara do të kishin qëndruar përtej afatit të tërheqjes së Biden-it më 31 gusht, talibanët do të kishin rifilluar sulmet e tyre, gjë që do të kishte rezultuar që SHBA-ja të dërgonte “shumë më tepër” trupa në vend.

“Nuk ka dëshmi se qëndrimi më i gjatë do t'i kishte bërë forcat afgane të sigurisë ose qeverinë afgane më elastike ose të qëndrueshme” tha ai.

“Nëse 20 vjet dhe qindra miliarda dollarë në mbështetje, pajisje dhe trajnime nuk mjaftuan, pse do të mjaftonte një vit tjetër, pesë të tjerë, apo dhjetë të tjera?”, theksoi kryediplomati amerikan Blinken.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.