Bota

Bjellorusia dhe Koreja e Veriut nënshkruajnë traktat miqësie gjatë vizitës së Lukashenkos

Lukashenko falënderoi liderin koreano-verior për ftesën dhe tha se dy kombet ndajnë paralele historike, duke theksuar se të dyja janë prekur rëndë nga konfliktet ushtarake në të kaluarën

Burç Eruygur  | 26.03.2026 - Përdıtësım : 26.03.2026
Bjellorusia dhe Koreja e Veriut nënshkruajnë traktat miqësie gjatë vizitës së Lukashenkos

Stamboll

Bjellorusia dhe Koreja e Veriut kanë nënshkruar traktat "miqësie dhe bashkëpunimi" gjatë vizitës së presidentit bjellorus, Alexander Lukashenko në Phenian ku ai u takua me liderin Kim Jong Un, transmeton Anadolu.

Presidenca bjelloruse tha se marrëveshja u finalizua gjatë bisedimeve mes dy liderëve në kryeqytetin e Koresë së Veriut, duke shënuar vizitën e parë zyrtare të Lukashenkos në këtë vend.

Lukashenko falënderoi liderin koreano-verior për ftesën dhe tha se dy kombet ndajnë paralele historike, duke theksuar se të dyja janë prekur rëndë nga konfliktet ushtarake në të kaluarën.

"Marrëdhëniet miqësore midis vendeve tona, të cilat filluan gjatë epokës sovjetike, nuk janë ndërprerë kurrë", tha ai, duke shtuar se lidhjet tani po hyjnë në një fazë të re.

Ai theksoi rritjen e angazhimit mes dy qeverive, përfshirë bashkëpunimin përmes organeve ndërqeveritare dhe ministrive të jashtme.

Sipas deklaratës, traktati përcakton qëllimet dhe parimet e bashkëpunimit dypalësh dhe krijon kornizë për zgjerimin e marrëdhënieve.

Kim tha se marrëveshja do të shërbejë si bazë ligjore për të siguruar zhvillimin e qëndrueshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.

Lukashenko mbërriti dje në aeroportin ndërkombëtar të Phenianit, ku u prit nga zyrtarë të lartë të Koresë së Veriut dhe përfaqësues bjellorusë. Më pas ai mori pjesë në një ceremoni zyrtare me Kim-in në sheshin "Kim Il Sung".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.