Bota

Bjellorusët sot drejt qendrave të votimit për zgjedhjet presidenciale

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor të Bjellorusisë (CEC), 41,81 për qind e elektoratit të vendit morën pjesë në procesin e votimit të parakohshëm

Burç Eruygur  | 26.01.2025 - Përdıtësım : 27.01.2025
Bjellorusët sot drejt qendrave të votimit për zgjedhjet presidenciale

Istanbul

Bjellorusët sot filluan votimin për zgjedhjet presidenciale të vendit, me presidentin aktual Alexander Lukashenko që kërkon një mandat të shtatë në detyrë, transmeton Anadolu.

Votimi filloi në orën 8 të mëngjesit me orën lokale në gjithsej 5.325 qendra të votimit të hapura të cilat do të mbyllen në orën 20 në mbrëmje.

Pak më shumë se 6.9 milionë bjellorusë kanë të drejtë të votojnë në këto zgjedhje, për të cilat votimi i parakohshëm u zhvillua nga 21 deri më 25 janar.

Sipas Komisionit Qendror Zgjedhor të Bjellorusisë (CEC), 41,81 për qind e elektoratit të vendit morën pjesë në procesin e votimit të parakohshëm.

Dje, kryetari i CEC-it, Igor Karpenko, tha se rreth 500 vëzhgues ndërkombëtar janë akredituar për të monitoruar zgjedhjet presidenciale.

Lukashenko, i cili ka qenë në detyrë që kur fitoi zgjedhjet e para presidenciale në vitin 1994, është një nga pesë kandidatët që garojnë për president.

Kandidatët e tjerë janë Oleg Gaidukevich, kryetar i Partisë Liberal Demokratike të Bjellorusisë, Sergey Syrankov, kryetar i Partisë Komuniste të Bjellorusisë, Alexander Khizhnyak, kryetar i Partisë Republikane të Punës dhe Drejtësisë dhe Hanna Kanapatskaya, një kandidate e pavarur që gjithashtu kandidoi për presidente në zgjedhjet e vitit 2020.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.