Bill Gates tërhiqet nga samiti i inteligjencës artificiale në Indi mes vëmendjes së re mbi lidhjet me Epsteinin
"Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe për të siguruar që fokusi të mbetet te prioritetet kryesore të Samitit të Inteligjences Artificiale, z.Gates nuk do të mbajë fjalimin e planifikuar", tha Fondacioni Gates
Stamboll
Bill Gates është tërhequr nga samiti i inteligjencës artificiale në Indi, vetëm disa orë para se të mbante fjalimin kryesor, teksa u rikthye vëmendja mbi lidhjet e tij të mëparshme me Jeffrey Epstein, transmeton Anadolu.
"Pas shqyrtimit të kujdesshëm dhe për të siguruar që fokusi të mbetet te prioritetet kryesore të Samitit të Inteligjencës Artificiale, z.Gates nuk do të mbajë fjalimin e planifikuar", tha Fondacioni Gates.
Fondacioni njoftoi se do të përfaqësohet nga Ankur Vora, president i zyrave për Afrikën dhe Indinë, i cili pritet të flasë më vonë gjatë ditës. Më tej, thuhet se fondacioni "mbetet plotësisht i përkushtuar" ndaj punës në fushën e shëndetësisë dhe zhvillimit në Indi.
Vendimi vjen pas publikimit të mijëra dokumenteve në kuadër të Aktit Amerikan për Transparencën e Dosjeve Epstein.
Në fillim të këtij muaji, bashkëthemeluesi i Microsoftit e cilësoi si "veprim të gabuar" kohën e kaluar me Epsteinin, i cili u gjet i vdekur në qelinë e tij në New York në vitin 2019 ndërsa priste gjyqin për akuza të trafikimit seksual.
Epstein u shpall fajtor në Florida në vitin 2008 dhe u dënua për sigurimin e një të miture për prostitucion, një dënim që kritikët e kanë quajtur "marrëveshje të favorshme".
Në një intervistë për "9News Australia", Gates mohoi çdo shkelje dhe tha se nuk ka vizituar kurrë ishullin privat të Epsteinit. "Është fakt që kam qenë vetëm në darka. Nuk kam shkuar kurrë në ishull, nuk kam takuar asnjë grua", tha Gates.
"Për çdo minutë që kam kaluar me të jam penduar dhe kërkoj falje për këtë", shtoi ai.
Samiti njëjavor në New Delhi, i hapur nga kryeministri Narendra Modi, ka mbledhur përfaqësues nga më shumë se 100 vende dhe po prezantohet si tubimi i parë i madh global i inteligjencës artificiale në Jugun Global.
Në aktivitet morën pjesë drejtues të teknologjisë si Sundar Pichai, Sam Altman dhe Dario Amodei si dhe liderë botërorë, përfshirë presidentin francez Emmanuel Macron, presidentin brazilian Luiz Inacio Lula da Silva dhe sekretarin e përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
