Bota

Belgjika: Projekti gjermano-franko-spanjoll për avion luftarak "nuk do të vijë"

Franca, Gjermania dhe Spanja synonin finalizimin e planeve për FCAS deri në fund të vitit të kaluar, por vendimi u shty për një afat të pacaktuar për shkak të mosmarrëveshjeve

Melike Pala  | 20.02.2026 - Përdıtësım : 20.02.2026
Belgjika: Projekti gjermano-franko-spanjoll për avion luftarak "nuk do të vijë"

Bruksel

Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken ka bërë të ditur se Belgjika do të rishqyrtojë përfshirjen e saj në projektin gjermano-franko-spanjoll për avionin luftarak të gjeneratës së gjashtë, pas komenteve të fundit të kancelarit gjerman, Friedrich Merz, transmeton Anadolu.

"Një avion luftarak i gjeneratës së gjashtë francezo-gjermano-spanjoll nuk do të vijë. Ujërat janë shumë të thella për këtë, siç është bërë e qartë prej muajsh dhe tani është konfirmuar nga kancelari Merz", shkroi Francken në platformën amerikane X.

Belgjika, shtoi ai, aktualisht vëzhguese në programin Sistemi i Ardhshëm i Luftimit Ajror (FCAS) do të "rishqyrtojë pozicionin tonë në konsultim me aleatët".

Ministri theksoi se Belgjika do të vazhdojë investimet në kapacitetet e luftimit ajror përmes avionëve amerikanë F-35 Lighting II, duke njoftuar plane për të porositur edhe 11 njësi shtesë.

Prodhimi do të përfshijë objekte evropiane, përfshirë Cameri-n në Itali, duke siguruar përfitime ekonomike për kompanitë belge.

"Një avion evropian i gjeneratës së gjashtë mbetet një ëndërr. Shpresojmë që të bëhet realitet. Po shqyrtojmë të gjitha opsionet", tha ai.

Belgjika fillimisht miratoi pjesëmarrjen e plotë në programin FCAS në korrik të vitit 2025, së bashku me planet që forcat ajrore të operonin si F-35 ashtu edhe avionin e ardhshëm FCAS, i synuar të ishte gati deri në vitin 2040.

Franca, Gjermania dhe Spanja synonin finalizimin e planeve për FCAS deri në fund të vitit të kaluar, por vendimi u shty për një afat të pacaktuar për shkak të mosmarrëveshjeve.

Së fundmi, Merz deklaroi se Gjermania nuk ka nevojë për të njëjtët avionë luftarakë si Franca.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.