Bota

Belgjika: Plani i BE-së për asetet e ngrira ruse nuk i adreson shqetësimet e saj

"Kemi ndjesinë zhgënjyese se nuk jemi dëgjuar. Shqetësimet tona po minimizohen. Teksti që Komisioni do të paraqesë sot nuk i adreson shqetësimet tona në mënyrë të kënaqshme", tha Prevot

İlayda Çakırtekin  | 03.12.2025 - Përdıtësım : 03.12.2025
Belgjika: Plani i BE-së për asetet e ngrira ruse nuk i adreson shqetësimet e saj

Stamboll

Ministri i Punëve të Jashtme i Belgjikës, Maxime Prevot ka ripërsëritur shqetësimet e vendit të tij në lidhje me planin e Bashkimit Evropian (BE) për t'i dhënë Ukrainës një hua nga përfitimet e aseteve ruse të ngrira, duke theksuar se ato nuk janë adresuar "në mënyrë të kënaqshme", transmeton Anadolu.

"Kemi ndjesinë zhgënjyese se nuk jemi dëgjuar. Shqetësimet tona po minimizohen. Teksti që Komisioni do të paraqesë sot nuk i adreson shqetësimet tona në mënyrë të kënaqshme", u tha Prevot gazetarëve përpara takimit të ministrave të jashtëm të NATO-s në Bruksel.

Ai përsëriti se ata e kishin konsideruar shpesh opsionin e një huaje reparacionesh "si më të keqin nga të gjithë", pasi është i "rrezikshëm".

"Nuk është e pranueshme të përdoret paraja dhe të na lihet neve të vetëm përballë rreziqeve", theksoi Prevot. Ai kërkoi që rreziqet me të cilat përballet Belgjika si rezultat i planit të jenë "tërësisht të mbuluara".

Javën e kaluar, kryeministri belg, Bart De Wever në një letër dërguar presidenteve të Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se plani i propozuar është "thelbësisht i gabuar" dhe do të shkelë të drejtën ndërkombëtare.

Në letër, kryeministri belg paralajmëroi për hakmarrje të mundshme ruse, veçanërisht të drejtuar ndaj kompanisë "Euroclear" dhe Belgjikës si dhe shtoi se asetet e ngrira mund të luajnë rol në negociatat e ardhshme të paqes dhe se përdorimi i tyre tani mund t'i komplikojë ato bisedime.

Veçmas, shtëpia e letrave me vlerë "Euroclear" me qendër në Belgjikë dhe Banka Kombëtare e Belgjikës dërguan letra të ndara në BE, duke paralajmëruar liderët e saj për rreziqet ligjore dhe financiare të planit.

Deklaratat erdhën mes diskutimeve rreth synimit të BE-së për të mobilizuar asetet e ngrira shtetërore ruse, shumica e të cilave mbahen në "Euroclear", për të mbledhur rreth 140 miliardë euro për një hua për Ukrainën.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.