Belgjika paralajmëron se Evropa do të jetë "në telashe të mëdha" nëse rritja e çmimit të energjisë bëhet strukturore
“Para fillimit të luftës, çmimet ishin shumë të larta dhe kjo luftë ka shkaktuar një tjetër rritje … nëse kjo bëhet strukturore, do të jemi në telashe të mëdha”, tha kryeministri belg Bart De Wever përpara takimit të Këshillit Evropian
Gjenevë
Kryeministri i Belgjikës paralajmëroi sot se Evropa mund të përballet me pasoja serioze ekonomike nëse rritja e çmimeve të energjisë, e shkaktuar nga konflikti në Lindjen e Mesme, bëhet afatgjatë, transmeton Anadolu.
“Para fillimit të luftës, çmimet ishin shumë të larta dhe kjo luftë ka shkaktuar një tjetër rritje… nëse kjo bëhet strukturore, do të jemi në telashe të mëdha”, tha Bart De Wever përpara takimit të Këshillit Evropian.
Ai bëri thirrje për masa të koordinuara evropiane për të përballuar kostot e larta të energjisë.
Gjithashtu, ai theksoi se Belgjika “nuk ka asnjë qëllim të përfshihet në luftën kundër Iranit”.
Udhëheqës të tjerë të BE-së po ashtu shprehën shqetësime për “paqëndrueshmërinë” në tregjet e energjisë. Kryeministri i Irlandës, Micheal Martin, tha gjatë një deklarate për media se zhvillimet e fundit tashmë kanë çuar në një rritje të ndjeshme të çmimeve të gazit, duke e cilësuar situatën si “shumë serioze”.
Ai tha se qeveritë duhet të reagojnë si në afat të shkurtër për të lehtësuar presionin mbi familjet, ashtu edhe në afat të mesëm për të menaxhuar ndikimet më të gjera ekonomike, përfshirë inflacionin. Martin gjithashtu theksoi se “mënyra më efektive” për të stabilizuar situatën është ulja e tensioneve në konflikt.
Ai paralajmëroi se sulmet ndaj infrastrukturës energjetike janë “të papranueshme” dhe mund të kenë pasoja afatgjata për tregjet globale.
Kryeministri irlandez gjithashtu e cilësoi si “të papranueshëm” çdo sulm të mëtejshëm ndaj infrastrukturës energjetike në Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar për pasoja afatgjata në tregun e energjisë.
Kryeministri holandez, Rob Jetten, gjithashtu theksoi nevojën për uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme, duke thënë se situata mbetet “shumë e paqëndrueshme” për nisma të reja, përfshirë misione të mundshme në Ngushticën e Hormuzit.
Presidentja e Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, nga ana e saj, tha në një konferencë për media se kriza tashmë po i kushton Evropës miliarda në importe më të shtrenjta të energjisë, duke bërë thirrje për investime në kapacitete magazinimi, ulje të varësisë dhe forcim të sistemeve energjetike.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
