Bota

Belgjika i referon ankesat për krime lufte kundër ushtarëve izraelitë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale

Ky veprim vjen pas ankesave ligjore të paraqitura nga Fondacioni Hind Rajab më 18 dhe 19 korrik kundër dy ushtarëve izraelitë, të cilët ishin në territorin belg për të marrë pjesë në festivalin muzikor Tomorrowland

Melike Pala  | 30.07.2025 - Përdıtësım : 30.07.2025
Belgjika i referon ankesat për krime lufte kundër ushtarëve izraelitë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale

Bruksel

Zyra e Prokurorit Publik Federal të Belgjikës ka bërë të ditur se autoritetet belge i kanë referuar ankesat për krime lufte të paraqitura kundër dy ushtarëve izraelitë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, transmeton Anadolu.

Ky veprim vjen pas ankesave ligjore të paraqitura nga Fondacioni Hind Rajab më 18 dhe 19 korrik kundër dy ushtarëve izraelitë, të cilët ishin në territorin belg për të marrë pjesë në festivalin muzikor Tomorrowland në qytetin Boom.

Pas shqyrtimit të çështjes, Zyra e Prokurorit Publik Federal vendosi ta referojë atë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale në përputhje me detyrimet ndërkombëtare të Belgjikës.

“Gjykata Ndërkombëtare Penale aktualisht po kryen një hetim mbi shkelje të mundshme serioze të ligjit humanitar në territoret palestineze”, tha Zyra e Prokurorit Publik Federal.

Më 21 korrik, dy ushtarët izraelitë u arrestuan dhe u morën në pyetje nga autoritetet belge para se të lirohen.

Fondacioni Hind Rajab tha se kjo shënoi rastin e parë në Evropë të të dyshuarve izraelitë që arrestohen dhe merren në pyetje për krime lufte të kryera në Gaza.

Më 18 mars, ushtria izraelite rifilloi sulmet në Rripin e Gazës dhe vetëm që atëherë ka vrarë të paktën 8.970 palestinezë dhe ka plagosur 43.228 të tjerë, duke shkatërruar një marrëveshje armëpushimi dhe shkëmbimi të të burgosurve që hyri në fuqi në muajin janar.

Të hënën, grupet izraelite të të drejtave B’Tselem dhe Mjekët për të Drejtat e Njeriut-Izrael akuzuan Izraelin për kryerjen e gjenocidit në Gaza, duke përmendur shkatërrimin sistematik të shoqërisë palestineze dhe çmontimin e qëllimshëm të sistemit të kujdesit shëndetësor të enklavës palestineze.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.