Belgjikë, shkolla e muzikës 'Tchaikovsky' ndryshon emrin dhe ndalon muzikën ruse

Bruksel
Nataliya Chepurenko, themeluesja e shkollës së muzikës 'Tchaikovsky', që vepron në Bruksel të Belgjikës, ka njoftuar se për shkak të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës, shkolla do të ndryshojë emrin dhe nuk do të përfshijë muzikën ruse në të, transmeton Anadolu Agency (AA).
Chepurenko, themeluesja me origjinë ukrainase e shkollës më të madhe private të muzikës në Belgjikë, në rrjetet sociale njoftoi se do të hyjnë në vitin e ri akademik me emrin "Akademia Ndërkombëtare e Muzikës në Bruksel" në vend të emrit të kompozitorit rus, Pyotr Ilyich Tchaikovsky.
"Në vitin 2014 ushtarët rus pushtuan një pjesë të Ukrainës. Për 8 vitet e ardhshme, mendova se kultura, arsimi dhe politika ishin të pavarura nga njëra-tjetra. Prandaj, shkolla ime vazhdoi të mbante emrin e kompozitorit rus. Muzikantët rus morën pjesë në garat dhe mësimet tona. Muzika ruse kumbonte në shkollë. Tani e shoh sa gabim e kam pasur”, tha Chepurenko.
Chepurenko tha se muzika ruse nuk do të luhet më në shkollën ku edukohen rreth 500 nxënës dhe janë të punësuar 35 mësues. Ajo shtoi se gjithashtu nuk do të luajnë as veprat e kompozitorëve rus, as në aktivitete jashtëshkollore si festivale, konkurse dhe projekte ndërkombëtare.
E shkolluar në Konservatorin Tchaikovsky në kryeqytetin ukrainas, Chepurenko e themeloi shkollën e muzikës 'Tchaikovsky' në vitin 2002 në Belgjikë, ku erdhi për të vazhduar shkollimin në Konservatorin Mbretëror të Lieges.
Njoftohet se faqja e re e shkollës do të hapet më 22 gusht, ditën kombëtare të Ukrainës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.