Bota

BE "ua hedh topin" vendeve anëtare lidhur me propozimin për të mos dhënë viza për rusët

KE-ja në përgjigje të propozimit të Finlandës dhe Estonisë që vendet e BE-së të mos lëshojnë viza turistike për qytetarët rusë tha se çështja është në kompetencë të vendeve anëtare

Ömer Tuğrul Çam  | 11.08.2022 - Përdıtësım : 11.08.2022
BE "ua hedh topin" vendeve anëtare lidhur me propozimin për të mos dhënë viza për rusët

Bruksel

Komisioni Evropian në përgjigje të propozimit të Finlandës dhe Estonisë që vendet e Bashkimit Evropian të mos lëshojnë viza turistike për qytetarët rusë tha se çështja është në kompetencë të vendeve anëtare, transmeton Anadolu Agency (AA).

Propozimi i Finlandës dhe Estonisë ka ardhur në rend dite në konferencën javore për media të zëdhënësve të KE-së.

Anitta Hipper, një nga zëdhënëset e KE-së, në përgjigje të pyetjes "Si Komision i BE-së a e mbështesni këtë propozim?" rikujtoi se në muajin maj u pezullua pjesërisht marrëveshja që lehtëson vizat mes vendeve të BE-së dhe Rusisë.

"Vendet anëtare duhet të shqyrtojnë brenda kompetencave të tyre çdo aplikim për vizë. Vendet e BE-së mund të refuzojnë dhënien e vizës duke pasur parasysh politikat e tyre publike ose sigurisë së tyre të brendshme", tha Hipper.

Duke vënë në dukje se vendet anëtare janë përgjegjëse për vlerësimin e aplikimeve për vizë dhe dhënien e vizës, Hipper shtoi se "Dhënien e vizës mund ta kufizojnë vetëm vendet anëtare".

Ajo rikujtoi se punonjësit e disa konsullatave të vendeve të BE-së në Rusi janë dëbuar pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë. "Kjo e vështirëson që shtetasit rusë të bëjnë aplikime për viza. Kjo situatë duhet të merret parasysh", tha Hipper.

Vendet anëtare të BE-së, Finlanda dhe Estonia kërkuan kufizim të udhëtimit në Evropë për shtetasit e Rusisë e cila është në luftë me Ukrainën.

Kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas ka deklaruar "Të vizitosh Evropën nuk është një e drejtë njerëzore, por është një privilegj". Ndërsa kryeministrja e Finlandës, Sanna Marin tha: "Nuk është e drejtë që shtetasit rusë të vazhdojnë jetën normale në Evropë dhe të udhëtojnë si turistë ndërkohë që Rusia është agresore në Evropë dhe po bën një luftë të pamëshirshme".

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın