Bota

BE: Nuk mbështesim të ashtuquajturin Fondacioni Humanitar në Gaza, ndihmat duhet t'i koordinojë OKB-ja

"Ndihma humanitare nuk duhet të "politizohet ose militarizohet kurrë", tha zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni

Selen Valente Rasquinho  | 04.07.2025 - Përdıtësım : 04.07.2025
BE: Nuk mbështesim të ashtuquajturin Fondacioni Humanitar në Gaza, ndihmat duhet t'i koordinojë OKB-ja

Bruksel

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Anouar El Anouni tha se ata nuk e mbështesin të ashtuquajturën qendër shpërndarjeje ndihmash, Fondacionin e Ndihmës Humanitare në Gaza (GHF) dhe nënvizoi se ndihma humanitare duhet të shpërndahet nën koordinimin e Kombeve të Bashkuara (OKB), transmeton Anadolu.

Zëdhënësi El Anouni në konferencën e përditshme për media bëri deklarata në lidhje me situatën humanitare në Gaza.

Duke iu referuar veprimeve të të ashtuquajturës qendër shpërndarjeje ndihmash, Fondacionin e Ndihmës Humanitare në Gaza, i cili është nën kontrollin e Izraelit dhe SHBA-së, El Anouni tha: "Lidhur me GHF-në që përmendët, ka qendra shpërndarjeje në Gaza dhe ajo që po ndodh rreth këtyre qendrave të shpërndarjes, është një situatë që nuk mund të mbrohet. Nuk duhet të tolerohet dhe dhuna duhet të përfundojë menjëherë".

Ai vuri në dukje se ndihma humanitare nuk duhet të "politizohet ose militarizohet kurrë".

Sipas tij, ndihma duhet të shpërndahet nën koordinimin e OKB-së dhe në përputhje me parimet themelore humanitare. "Si BE ne nuk e financojmë këtë iniciativë dhe gjithashtu nuk bashkëpunojmë me të", u shpreh El Anouni.

​​​​​​​- Edhe Borrell e ka kritikuar

Ish-përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Joseph Borrell, në një deklaratë që bëri dje tha se mercenarët amerikanë kanë vrarë 550 banorë të Gazës brenda një muaji dhe akuzoi Këshillin e BE-së dhe Komisionin Evropian se kanë heshtur për këtë.

- Arma e re e Izraelit në Gaza: Shpërndarja e ndihmave

"Fondacioni i Ndihmës Humanitare për Gazën", i ndërmarrë nga SHBA-ja dhe i mbështetur nga Izraeli, njoftoi më 27 maj se "filloi operacionet në Gaza" dhe se kamionët ishin në rrugë për shpërndarjen e supozuar të ndihmës.

Ushtria izraelite njoftoi se 4 të ashtuquajtura qendra shpërndarjeje ndihmash u krijuan në Rripin e Gazës, 3 në jug dhe 1 në veri. Ushtria izraelite e cila e ndau Rripin e Gazës në kantone dhe shpalli më shumë se 80 për qind të tij zonë të ndaluar për palestinezët, tha në deklaratën e saj se 2 nga të ashtuquajturat qendra shpërndarjeje ndihmash në Korridorin Morag kishin filluar aktivitetet e tyre.

Pamjet që vijnë nga pika e shpërndarjes e kontrolluar nga Fondacioni i Ndihmës Humanitare në Gaza, u përngjasuan nga përdoruesit e mediave sociale me foton ikonike të bërë në kampet e përqendrimit të ngritura nga nazistët gjermanë në Luftën e Dytë Botërore.

Komisioneri i Lartë i OKB-së për të Drejtat e Njeriut njoftoi se ushtria izraelite ka vrarë të paktën 410 palestinezë teksa përpiqeshin të marrin ushqim nga pikat e Fondacionit të Ndihmës Humanitare në Gaza.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.