Bota

BE: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi e vetmja mënyrë që palët të përparojnë në rrugën evropiane

Kallas dhe Kos përshëndetën pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive të tyre politike në zgjedhje dhe theksuan se procesi zgjedhor tregoi një “angazhim të fortë ndaj parimeve demokratioke”

Abdulbesar Ademi  | 29.12.2025 - Përdıtësım : 29.12.2025
BE: Normalizimi i marrëdhënieve Kosovë-Serbi e vetmja mënyrë që palët të përparojnë në rrugën evropiane

Shkup

Pas zgjedhjeve të djeshme të mbajtura në Kosovë, Bashkimi Evropian (BE) ka përshëndetur zhvillimin e tyre dhe ka kërkuar formimin e shpejtë të institucioneve në vend dhe përshpejtimin e reformave evropiane, transmeton Anadolu.

Në një deklarate të përbashkët, shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas dhe komisarja për zgjerim, Marta Kos, përshëndetën pjesëmarrjen aktive të të gjitha komuniteteve dhe partive të tyre politike në zgjedhje.

Kallas dhe Kos theksuan se procesi zgjedhor tregoi një “angazhim të fortë ndaj parimeve demokratike”.

“Pas ngërçit politik pas zgjedhjeve të shkurtit të vitit 2025, ne presim me padurim formimin e shpejtë të Kuvendit dhe Qeverisë së re dhe vazhdimin e angazhimit tonë me autoritetet. Qeveria e re duhet të dyfishojë përpjekjet e saj për reformat shumë të nevojshme që kanë të bëjnë me BE-në”, theksuan përfaqësueset e BE-së.

Ato gjithashtu i bënë thirrje Kuvendit që sapo të formohet të ratifikojë marrëveshjet që lidhen me Planin e Rritjes, përkatësisht instrumentin e BE-së për Ballkanin Perëndimor me afat të kufizuar, i miratuar për periudhën 2024-2027, në mënyrë që të shfrytëzohen plotësisht të gjitha mundësitë që ofron ky plan, në dobi të popullatës së saj.

“Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, vazhdon të mbetet e vetmja mënyrë që të dyja palët të arrijnë përparim në rrugët e tyre evropiane”, theksuan më tej, duke shprehur pritje që të gjitha obligimet që rrjedhin nga Marrëveshja për Rrugën drejt Normalizimit, si dhe të gjitha marrëveshjet e mëparshme të Dialogut, të zbatohen pa vonesa apo parakushte të mëtejshme

Po ashtu ato rikujtuan se BE-ja po ecën përpara me heqjen e masave ndaj Kosovës, duke përmendur se 216 milionë euro ndihmë financiare tashmë janë disbursuar pas transferimit të rregullt të qeverisjes lokale pas zgjedhjeve të fundit lokale dhe synimin për të disbursuar edhe 205 milionë euro shtesë në fillim të vitit të ardhshëm.

Dje, Kosova mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare, pas krizës disamujore politike për të formuar një qeveri të re, ku në garë morën pjesë 24 subjekte politike, me 1.180 kandidatë për deputetë.

Sipas rezultateve paraprake të autoritetit zgjedhor, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) doli partia më e madhe duke siguruar 49,31 për qind të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21,19 për qind, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 13,74 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 5,74 për qind.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın