BE-ja zgjat afatin e mbrojtjes së përkohshme për ukrainasit
Aktualisht 4.2 milionë ukrainas përfitojnë nga mbrojtja e përkohshme në vendet e BE-së

Ankara
Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur të zgjasë deri në vitin 2026 periudhën e vlefshmërisë së direktivës së BE-së për mbrojtjen e përkohshme, e cila siguron mbrojtje të përkohshme për ukrainasit që largohen nga lufta, transmeton Anadolu.
Nicole de Moor, ministrja e Shtetit për Emigracionin dhe Azilin e Belgjikës që ka presidencën e radhës në BE, bëri një deklaratë në konferencën e përbashkët për media pas takimit të ministrave të Brendshëm të BE-së.
Ajo tha se ministrat e Brendshëm pranuan propozimin e Komisionit Evropian (KE) për të zgjatur nga 4 mars 2025 në 4 mars 2026 mbrojtjen e përkohshme të siguruar për ukrainasit që ikin nga lufta. "Për sa kohë që bombat vazhdojnë të bien në Ukrainë, është e qartë se situata atje nuk është e sigurt. Shtetet anëtare do të bëjnë gjithçka që është e nevojshme për të mbrojtur njerëzit që ikin nga këto sulme", tha De Moor.
Ministrja belge vuri në dukje se me vendimin e marrë, ministrat "treguan se vazhdojnë solidaritetin e tyre me Ukrainën".
- Direktiva e BE-së për mbrojtjen e përkohshme u aktivizua për herë të parë për ukrainasit
Pasi numri i njerëzve që u larguan nga lufta Ukrainë-Rusi u rrit me shpejtësi pas fillimit të luftës, BE-ja aktivizoi për herë të parë në mars të vitit 2022, direktivën e BE-së për mbrojtjen e përkohshme e cila është nxjerrë në vitin 2001.
Në kuadër të kësaj, ukrainasit mund të marrin leje qëndrimi, të përfitojnë nga shërbimet arsimore dhe shëndetësore dhe të gjejnë e të punojnë në vendet e BE-së.
Ukrainasve u jepen gjithashtu mundësi të tilla si mirëqenie sociale, strehim dhe ndihmë për jetesë.
Aktualisht 4.2 milionë ukrainas përfitojnë nga mbrojtja e përkohshme në vendet e BE-së.