Bota

BE-ja rrit mbështetjen për Ukrainën me disbursim prej gati 6 miliardë eurosh

Pagesat e kredive do të bëhen duke përdorur asetet sovrane ruse të ngrira në BE

Melike Pala  | 13.11.2025 - Përdıtësım : 13.11.2025
BE-ja rrit mbështetjen për Ukrainën me disbursim prej gati 6 miliardë eurosh

Bruksel

Komisioni Evropian disbursoi sot gati 6 miliardë euro për të mbështetur Ukrainën, duke riafirmuar rolin e BE-së si donatori më i madh dhe më i besueshëm i vendit, transmeton Anadolu.

Pagesa përfshin këstin e dhjetë dhe të fundit prej 4.1 miliardë eurosh në kuadër të programit të jashtëzakonshëm të Ndihmës Makrofinanciare (MFA) të BE-së, pjesë e nismës së udhëhequr nga G7, "Përshpejtimi i Jashtëzakonshëm i të Ardhurave" (ERA) si dhe këstin e pestë të rregullt prej mbi 1.8 miliard eurosh nga Mekanizmi i Ukrainës, thuhet në një deklaratë.

Kësti prej 4.1 miliardë eurosh përmbyll programin MFA të BE-së për Ukrainën, duke e çuar shumën totale të kredive të këtij viti në 18.1 miliardë euro.

Financimi përfaqëson kontributin e plotë të bllokut në nismën ERA, e cila synon të sigurojë gati 45 miliardë euro mbështetje urgjente për Ukrainën. Deri më tani, vendet e tjera të G7-s kanë disbursuar 12.8 miliardë euro, duke e çuar totalin e kredive ERA në 30.9 miliardë euro.

Rikthimi i pagesave për kreditë ERA dhe për programin MFA të BE-së do të bëhet nga asetet sovrane ruse të ngrira në BE, nëpërmjet Mekanizmit të Bashkëpunimit të Kredive për Ukrainën.

Ndërkohë, disbursimi prej 1.8 miliardë eurosh në kuadër të Mekanizmit të Ukrainës synon forcimin e stabilitetit makrofinanciar të Ukrainës, administratës publike dhe reformave kryesore të parashikuara në "Planin e Ukrainës", kuadri qendror që udhëheq agjendën e reformave dhe investimeve të Kievit.

Me pagesat e fundit, mbështetja totale e BE-së për Ukrainën ka tejkaluar tashmë 187 miliardë euro që nga fillimi i luftës aktuale.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın