BE-ja përshëndet vendimin e SHBA-së për sanksione ndaj kompanive kryesore ruse të naftës
"Vlerësova telefonatën me sekretarin Scott Bessent dhe vendimin e Thesarit për të sanksionuar kompanitë e mëdha ruse të naftës përballë mungesës së angazhimit të Rusisë ndaj procesit të paqes", tha Presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen

Stamboll
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, përshëndeti vendimin e Departamentit të Thesarit të SHBA-së të mërkurën për të vendosur sanksione ndaj kompanive të mëdha ruse të naftës, transmeton Anadolu.
"Vlerësova telefonatën e mbrëmjes së sotme me sekretarin Scott Bessent dhe vendimin e Thesarit për të sanksionuar kompanitë e mëdha ruse të naftës përballë mungesës së angazhimit të Rusisë ndaj procesit të paqes", tha Von der Leyen në platformën e kompanisë amerikane të mediave sociale X.
Ajo shtoi se sanksionet e SHBA-së, të kombinuara me miratimin e menjëhershëm të paketës së 19-të të sanksioneve të BE-së kundër Rusisë, janë "një sinjal i qartë nga të dyja anët e Atlantikut se ne do të vazhdojmë presionin kolektiv ndaj agresorit".
SHBA-ja vendosi sanksione të reja të mërkurën ndaj dy kompanive më të mëdha të naftës të Rusisë, Rosneft dhe Lukoil, duke përmendur "mungesën e angazhimit serioz" të Moskës ndaj një procesi paqeje për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Departamenti i Thesarit tha në një deklaratë se masat synojnë sektorin e energjisë të Rusisë për të "degraduar aftësinë e Kremlinit për të mbledhur të ardhura për makinën e luftës" dhe "për të mbështetur ekonominë e saj të dobësuar".