Bota

BE-ja po përgatit sanksione të reja kundër Rusisë

"Po përgatiten masa kufizuese kundër nënte subjekteve të përfshira në anashkalimin e sanksioneve të BE-së", tha ministri i Jashtëm francez, Barrot

Necva Taştan Sevinç  | 15.12.2025 - Përdıtësım : 15.12.2025
BE-ja po përgatit sanksione të reja kundër Rusisë

Stamboll

Franca do të vazhdojë të insistojë për sanksione ndaj aktorëve rusë të përfshirë në luftën në Ukrainë, përfshirë subjektet e akuzuara për ndihmë në anashkalimin e masave ekzistuese dhe individët e lidhur me propagandën dhe ndërhyrjet dixhitale në Evropë, tha sot ministri i Jashtëm, Jean-Noel Barrot, transmeton Anadolu.

Para takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, Barrot tha se po përgatiten masa kufizuese kundër nëntë subjekteve të përfshira në anashkalimin e sanksioneve të BE-së përmes asaj që ai e përshkroi si "flota në hije" e Rusisë, veçanërisht kompanitë detare që punojnë për ose janë të lidhura me kompanitë e mëdha ruse të naftës, përfshirë Lukoil dhe Rosneft.

Ai shtoi se paketa e sanksioneve do të synojë 12 individë të akuzuar për destabilizim të aktiviteteve në Evropë, përfshirë ata përgjegjës për ndërhyrjet e huaja dhe ndërhyrjet dixhitale të huaja. Midis atyre që pritet të sanksionohen është Xavier Moreau, shtetas franko-rus me bazë në Rusi, të cilin Barrot e përshkroi si një stafetë për "propagandën e Kremlinit" në Evropë.

Ai përmendi gjithashtu John Mark Dougan, i akuzuar se luan rol kyç në operacionet e ndërhyrjeve dixhitale në Evropë. Barrot iu referua konkretisht një fushate dezinformimi të njohur si "Stuhia 1516", për të cilën autoritetet franceze kanë thënë se ka synuar vazhdimisht debatin publik francez dhe evropian.

Fushata u identifikua nga agjencia franceze përgjegjëse për monitorimin dhe kundërshtimin e ndërhyrjeve dixhitale të huaja "Viginum".

"Franca mbetet e vendosur të mbajë presion mbi aktorët që kontribuojnë në një mënyrë ose në një tjetër në luftën e agresionit të Rusisë, duke përdorur sanksionet si një mjet kyç përkrah partnerëve të saj evropianë", tha Barrot.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.