Bota

BE-ja do të krijojë listë të "vendeve të sigurta" për aplikimet për azil

Në kuadër të listës së re, parashikohet që kërkesat për azil të shtetasve të Bangladeshit, Egjiptit, Indisë, Kolumbisë, Kosovës, Marokut dhe Tunizisë të shqyrtohen më shpejt

Selen Valente Rasquinho  | 10.02.2026 - Përdıtësım : 10.02.2026
BE-ja do të krijojë listë të "vendeve të sigurta" për aplikimet për azil

Bruksel

Parlamenti Evropian (PE) ka miratuar rregullore që synojnë përshpejtimin e shqyrtimit të kërkesave për azil dhe parashikojnë zbatimin e konceptit të "vendit të tretë të sigurt", si dhe krijimin e një liste të vendeve të sigurta të origjinës në nivel të Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.

Sipas njoftimit të PE-së, deputetët, në votimin e zhvilluar në seancë plenare, miratuan krijimin e një liste të vendeve të sigurta të origjinës që do të vlejë në gjithë BE-në.

Rregullorja u miratua me 408 vota pro, ndërsa 184 deputetë votuan kundër dhe 60 abstenuan.

Në kuadër të listës së re, parashikohet që kërkesat për azil të shtetasve të Bangladeshit, Egjiptit, Indisë, Kolumbisë, Kosovës, Marokut dhe Tunizisë të shqyrtohen më shpejt.

Në rastet e aplikimeve nga këto vende, barra e provës për të treguar se, nëse kthehen, përballen me rrezik persekutimi ose dëmi serioz, do t’i takojë vetë aplikantit.


- Edhe vendet kandidate si "vende të sigurta të origjinës"

Rregullorja parashikon gjithashtu që vendet kandidate për anëtarësim në BE të konsiderohen, si rregull, "vende të sigurta të origjinës".

Megjithatë, ky vlerësim mund të pezullohet në raste si konflikte të armatosura, norma të larta pranimi të kërkesave për azil ose sanksione që ndikojnë në të drejtat themelore.

Deputetët miratuan gjithashtu rregulloren që u mundëson shteteve anëtare, nëse plotësohen kushte të caktuara, të shqyrtojnë kërkesat për azil në kuadër të konceptit të "vendit të tretë të sigurt".

Sipas kësaj, nëse aplikanti ka lidhje me vendin në fjalë – si lidhje familjare, qëndrim të mëparshëm ose lidhje kulturoro-gjuhësore - apo nëse ka kaluar përmes atij vendi gjatë rrugës drejt BE-së, kërkesa mund të shqyrtohet atje.


- Në qendër të kritikave

Rregullorja është vënë po ashtu në qendër të debatit për politikat e migracionit të BE-së.

Organizatat për të drejtat e njeriut thonë se praktikat e "vendit të sigurt të origjinës" dhe "vendit të tretë të sigurt" mund ta vështirësojnë shqyrtimin e drejtë individual të kërkesave për azil dhe të rrisin rrezikun e kthimit të personave që kanë nevojë për mbrojtje.

Kritikat përqendrohen veçanërisht në faktin se në disa nga vendet e planifikuara për t'u përfshirë në listë vazhdojnë të ekzistojnë probleme lidhur me të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit.

Mbështetësit e rregullores, nga ana tjetër, theksojnë se rregullat e reja synojnë përshpejtimin e funksionimit të sistemit të azilit dhe uljen e presionit migrator mbi shtetet anëtare.

Që rregulloret të hyjnë në fuqi, nevojitet edhe miratimi zyrtar i Këshillit të BE-së.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın