BE-ja do të finalizojë paketën e re të sanksioneve kundër Rusisë
"Rusia kupton vetëm forcën dhe nuk tregon interes të vërtetë për paqen pavarësisht përpjekjeve të fundit diplomatike nga Trumpi", tha kryediplomatja e BE-së, Kaja Kallas

Stamboll
Shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas tha se ministrat do të përqendrohen kryesisht në Ukrainë, ndërsa blloku përgatitet të miratojë paketën e 19-të të sanksioneve kundër Rusisë këtë javë, transmeton Anadolu.
Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian u mblodhën në Luksemburg për të diskutuar një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë, situatën në Rripin e Gazës dhe rreziqet në rritje të zinxhirit të furnizimit global mes tensioneve të larta gjeopolitike.
"Presim që këtë javë të miratojmë paketën e 19-të të sanksioneve. Fatkeqësisht, jo sot, por kemi një takim udhëheqësish të enjten", tha Kallas duke folur me gazetarët përpara Këshillit të Punëve të Jashtme.
Sipas saj, "Rusia kupton vetëm forcën dhe nuk tregon interes të vërtetë për paqen, pavarësisht ofertave të fundit diplomatike nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili pritet të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin në Budapest pas dy javësh".
"Sigurisht, të gjitha përpjekjet për paqe janë të mirëseardhura, por ne nuk e shohim Rusinë që dëshiron vërtet paqe. Dëshira ime do të kishte që Zelenskyy të takohet me Putinin, sepse në të vërtetë janë ata që duhet të bien dakord për këtë", shtoi Kallas.
Ajo tha se ministrat e BE-së po punojnë për të forcuar zbatimin e masave kundër të ashtuquajturës "flotë hije" të Rusisë, një rrjet anijesh që dyshohet se ndihmojnë Moskën të anashkalojë kufizimet perëndimore të eksportit të naftës.
- Përpjekjet për paqe në Rripin e Gazës dhe Lindjen e Mesme
Duke iu drejtuar Lindjes së Mesme, Kallas tha se ministrat do të vlerësojnë hapat e ardhshëm pas marrëveshjes së armëpushimit të arritur më parë këtë muaj midis Izraelit dhe Hamasit.
"Armëpushimi është testi i parë i stresit. Është një fazë e parë e mirë, por sigurisht që duhet të punojmë për atë që mund të bëhet më shumë për të arritur paqe të qëndrueshme", tha ajo duke shtuar se BE-ja duhet të ndihmojë në sigurimin që ndihma humanitare të arrijë civilët në Gaza.
Blloku ka peshuar sanksionet e mundshme kundër disa zyrtarëve izraelitë dhe masave më të gjera tregtare në përgjigje të konfliktit, megjithëse Kallas sinjalizoi se situata kishte evoluar që nga zhvillimet e fundit.
"Sigurisht, situata ka ndryshuar, duke marrë parasysh zhvillimet e javës së kaluar. Ne do të diskutojmë sot me ministrat e jashtëm këto masa që janë në tryezë", tha shefja e diplomacisë evropiane.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.