BE-ja arrin marrëveshje për reformën e Unionit Doganor, detyrime të reja për platformat online
Aktualisht, mallrat me vlerë më pak se 150 euro të importuara nga vende jashtë BE-së janë të përjashtuara nga detyrimet doganore
Stamboll
Institucionet e Bashkimit Evropian (BE) kanë arritur marrëveshje për një paketë reformash doganore që do të vendosë detyrime shtesë për platformat online dhe do të krijojë një Autoritet të ri Doganor të BE-së, transmeton Anadolu.
Komisioni Evropian tha se negociatorët nga komisioni, Këshilli dhe Parlamenti Evropian arritën marrëveshje për të rishikuar kornizën e Unionit Doganor të BE-së.
E përshkruar si reforma më e gjerë e rregullave doganore të BE-së që nga viti 1968, paketa synon të përshtatë procedurat doganore me ndryshimet e shpejta në tregtinë ndërkombëtare, veçanërisht rritjen e madhe të tregtisë elektronike, duke thjeshtuar procedurat dhe rritur efikasitetin përmes një sistemi më modern dhe të bazuar në të dhëna.
Në qendër të reformës është një Autoritet i ri Doganor i BE-së, me seli në Lille të Francës, i cili pritet të nisë funksionimin në vitin 2027. Ky autoritet do të koordinojë dhe modernizojë praktikat doganore në 27 shtetet anëtare të bllokut, do të lehtësojë shkëmbimin e informacionit, do të forcojë zbatimin e njëtrajtshëm të rregullave doganore dhe do të përmirësojë zbulimin dhe parandalimin e mashtrimeve doganore.
Ai do të menaxhojë gjithashtu Qendrën e të Dhënave Doganore të BE-së, një platformë e vetme digjitale për procedurat doganore në gjithë bllokun, duke u mundësuar bizneseve të paraqesin të dhënat vetëm një herë në vend që të përdorin sisteme të shumta kombëtare.
Reforma do të forcojë më tej kuadrin për tregtarët e besueshëm, duke u dhënë bizneseve që respektojnë rregullat akses në procedura më të thjeshta dhe më pak kontrolle ndërsa autoritetet doganore do të fokusohen më shumë te dërgesat me rrezik të lartë.
Për të adresuar rritjen e tregtisë elektronike, paketa parashikon një tarifë për trajtimin e mallrave të importuara, për të mbuluar kostot në rritje të administratave doganore, përfshirë sistemet IT, stafin, kontrollin e të dhënave dhe analizën e rrezikut. Tarifa pritet të hyjë në fuqi më 1 nëntor 2026.
Sipas sistemit të ri, platformat online dhe shitësit do të detyrohen të paraqesin të dhënat e transaksioneve në Qendrën e të Dhënave Doganore sapo të kryhet shitja, duke u mundësuar autoriteteve të veprojnë përpara se mallrat të arrijnë në kufi. Platformat do të jenë përgjegjëse për të siguruar që produktet të jenë në përputhje me rregullat e BE-së, me penalitete në rast të shkeljeve sistematike.
Sipas rregullave të reja, platformat online që shesin në BE do të trajtohen si importues dhe do të mbajnë përgjegjësi për detyrimet doganore dhe sigurinë e produkteve ndërsa do të vendosen gjoba për ata që shkelin rregulloret e BE-së. Legjislacioni i ri doganor pritet të hyjë në fuqi 12 muaj pas publikimit në "Gazetën Zyrtare" të BE-së.
Aktualisht, mallrat me vlerë më pak se 150 euro të importuara nga vende jashtë BE-së janë të përjashtuara nga detyrimet doganore. Si masë e përkohshme, vendet e BE-së kanë vendosur tashmë një tarifë prej 3 euro për porositë online nën 150 euro nga vendet jashtë BE-së, duke filluar nga 1 korriku 2026 ndërsa një tarifë shtesë trajtimi do të aplikohet nga 1 nëntori sipas marrëveshjes së fundit.
Komisioni tha se 5.9 miliardë mallra me vlerë të ulët u dërguan drejtpërdrejt te konsumatorët në BE në vitin 2025, me më shumë se 90 për qind që vinin nga Kina. Blloku prej kohësh po shqyrton vendosjen e taksave të reja për blerjet përmes platformave të tregtisë elektronike të lidhura me Kinën, si Temu, AliExpress dhe Shein.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
