Bota

BE dhe SHBA pajtohen të rifillojnë bisedimet për paqe në Afganistan

Të gjitha palëve ndërluftuese u kërkohet që të mbajnë armëpushim gjatë negociatave të ardhshme ndër-afgane për t'u mundësuar pjesëmarrësve arritjen e marrëveshjes për udhërrëfyes politik për të ardhmen e Afganistanit

Ekip  | 23.10.2019 - Përdıtësım : 24.10.2019
BE dhe SHBA pajtohen të rifillojnë bisedimet për paqe në Afganistan

Ankara

Departamenti amerikan i shtetit ka bërë të ditur se mbështetësit perëndimorë të Afganistanit janë pajtuar që të punojnë me qeverinë e Kabulit, talebanët dhe liderët e shoqërisë civile për të arritur marrëveshje të qëndrueshme të paqes në shtet, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në njoftimin e departmentit amerikan bëhet e ditur se të dërguarit dhe përfaqësuesit special të Bashkimit Evropian (BE), Francës, Gjermanisë, Italisë, Norvegjisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe SHBA-ve janë takuar në Bruksel më 22 tetor.

Në të thuhet se pjesëmarrësit "pranuan kërkesën e përhapur dhe të sinqertë të popullit afgan për një paqe të qëndrueshme dhe një fund të luftës".

Njoftimi u bën thirrje të gjitha palëve të mbajnë armëpushim gjatë negociatave ndër-afgane për t'u mundësuar pjesëmarrësve arritjen e marrëveshjes për udhërrëfyes politik për të ardhmen e Afganistanit.

Po ashtu u bëhet thirrje presidentit afgan Ashraf Ghani, kryeshefit ekzekutiv Abdullah Abdullah dhe liderëve tjerë afganë që të fokusohen në përgatitjen e qeverisë për negociata formale ndër-afgane me talebanët, duke përfshirë edhe emërimin e një ekipi negociues gjithëpërfshirës kombëtar.

Në ndërkohë, zëdhënësi i talebanëve, Zabihullah Mujahid, për AA tha se një raund i ri i dialogut ndërmjet palëve afgane do të mbahet javën e ardhshme në Kinë.

Mujahid tha se Deng Xijun, përfaqësuesi special i Kinës për Afganistanin, të martën në kryeqytetin e Katarit është takuar me kreun politik të talebanëve, Mullah Abdul Ghani Baradar dhe e ka ftuar grupin në konferencën në Pekin.

Ai gjithashtu tha se talebanët kanë pranuar ftesën dhe do të dërgojnë një delegacion që të merr pjesë në konferencë.

Pjesëmarrjen në konferencën në Pekin e ka konfirmuar edhe Këshilli i Lartë i Paqes në Afganistan.

Në fillim të shtatorit, Trump i shpalli "të vdekura" bisedimet e paqes me talebanët pas një sulmi në Kabul ku mbetën të vrarë dhjetëra njerëz, duke përfshirë edhe një anëtar i shërbimit amerikan.

Pas veprimit amerikan, talebanët hapën fronte të reja të luftës në Afganistan, ndërsa forcat e sigurisë, të përballura me viktima dhe dezertime, luftojnë për të mposhtur kryengritjen e rigjallëruar.

Të hënën, Departamenti amerikan i shtetit tha se Khalilzad është nisur për në vizitë në Bruksel, Paris dhe Moskë.

Në Moskë, ai do të takohet me përfaqësuesit rusë dhe kinezë "për të diskutuar interesat e përbashkëta për të parë përfundimin e luftës në Afganistan", thuhet në njoftimin e Departamentit të Shtetit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın