Banorët e qytetit Mons në Belgjikë akoma pa gaz disa ditë pas ndërprerjes së madhe
“Pavarësisht se teknikët po punojnë pa ndërprerje, deri tani janë rilidhur vetëm rreth 2 mijë matës”, tha Vanbever, ndërkohë që më shumë se 10 mijë familje mbeten pa furnizim me gaz
Bruksel
Më shumë se 10 mijë familje në qytetin belg Mons mbeten pa furnizim me gaz, disa ditë pas një incidenti të madh teknik në një nënstacion që ndërpreu shërbimin, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi RTBF, ndërprerja, e cila preku gjithsej rreth 12 mijë familje, filloi javën e kaluar.
“Pavarësisht se teknikët po punojnë pa ndërprerje, deri tani janë rilidhur vetëm rreth 2 mijë matës”, tha Annabel Vanbever, zëdhënëse e operatorit të gazit dhe energjisë elektrike ORES.
Ende nuk është bërë e ditur një datë për rikthimin e plotë të furnizimit.
“Asnjë datë për rikthimin në normalitet nuk është planifikuar. Nuk duam t’u japim banorëve shpresa të rreme”, tha Vanbever, duke shtuar se përparimi varet nga përfundimi i një fushate rilidhjeje derë më derë.
Qyteti Mons po ofron zgjidhje të përkohshme për banorët e prekur.
Situata u përkeqësua më tej nga një rritje e kërkesës për energji elektrike të dielën vonë, e cila shkaktoi zjarr në një nënstacion elektrik dhe ndërprerje të energjisë që preku rreth 300 banesa.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
