Bangladesh, të paktën 26 të vdekur pas rënies së një autobusi në lum
Rreth 40 pasagjerë në bordin e autobusit u zhytën në lumin e madh Padma të mërkurën, ndërsa po hipte në një traget në terminalin e trageteve Daulatdia në qytetin Goalanda
Dhaka
Zhytësit nxorën 26 trupa të pajetë dhe vazhduan kërkimin për të paktën gjashtë persona të tjerë të zhdukur pasi një autobus pasagjerësh ra në lumin Padma të Bangladeshit, thanë sot shërbimet zjarrfikëse, transmeton Anadolu.
Rreth 40 pasagjerë në bordin e autobusit u zhytën në lumin e madh Padma të mërkurën, ndërsa po hipte në një traget në terminalin e trageteve Daulatdia në qytetin Goalanda në distriktin qendror Rajbari.
Shtatë trupa të tjerë janë nxjerrë nga autobusi, duke e çuar numrin e viktimave në 26, tha shërbimi zjarrfikës.
Midis trupave të nxjerrë nga autobusi janë pesë fëmijë dhe 13 gra. Zhytësit shpëtuan tetë të gjallë, tha ai.
Personeli i shërbimit zjarrfikës e nxori autobusin me ndihmën e anijes së shpëtimit "Hamza" rreth gjashtë orë pasi u fundos. Megjithatë, puna e shpëtimit u pengua nga shiu.
Autobusi u fundos në një thellësi prej mbi 60 metrash ndërsa njerëzit po ktheheshin në kryeqytetin Dhaka pas festës shtatëditore muslimane të Fitër Bajramit.
Disa njësi zhytësish janë ende duke kryer operacione shpëtimi.
Janë ngritur dy grupe për të hetuar ngjarjen.
