Azerbajxhani dhe SHBA-ja nënshkruajnë marrëveshje të partneritetit strategjik
Nënpresidenti amerikan JD Vance, pas takimit me presidentin azerbajxhanas Ilham Aliyev në kryeqytetin Baku dhe nënshkrimit të marrëveshjes, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Azerbajxhan
Baku
Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) dhe Azerbajxhani nënshkruan sot një marrëveshje partneriteti strategjik, raporton Anadolu.
Nënpresidenti amerikan JD Vance, pas takimit me presidentin azerbajxhanas Ilham Aliyev në kryeqytetin Baku dhe nënshkrimit të marrëveshjes, theksoi rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Azerbajxhan dhe përfitimet që bashkëpunimi do të ketë jo vetëm për vendet e tyre, por edhe për stabilitetin rajonal.
Ky partneritet do të mundësojë që punëdhënësit në SHBA të kenë qasje në më shumë tregje dhe një botë ku njerëzit tregtojnë në vend që të luftojnë do të bëhet realitet, tha Vance, duke shtuar se marrëveshja formalizon dhe konsolidon marrëdhëniet midis dy vendeve.
Ai vuri në dukje se marrëveshja strategjike do të japë fryte për qytetarët e të dy vendeve dhe do të krijojë një bazë të qëndrueshme për bashkëpunim ekonomik dhe tregtar.
“Partneriteti midis SHBA-së dhe Azerbajxhanit do të çojë në më shumë paqe dhe prosperitet në rajon”, tha Vance.
Duke folur për bashkëpunimin në sigurinë ujore, Vance tha se SHBA-ja do të dërgojë anije të reja për të mbështetur sigurinë e ujërave territoriale të Azerbajxhanit.
Vance gjithashtu theksoi rolin e presidentit Aliyev në arritjen e marrëveshjes së paqes me Armeninë, duke e quajtur rezultat të bashkëpunimit trepalësh midis presidentëve të të dy vendeve dhe të SHBA-së.
"Shpresa jonë është që kjo marrëveshje e jashtëzakonshme paqeje midis Azerbajxhanit dhe Armenisë të jetë vërtet e qëndrueshme dhe që të vendoset bashkëpunim në fushat e ekonomisë, burimeve natyrore dhe mineraleve kritike", tha ai.
Ndërkaq, presidenti i Azerbajxhanit Ilham Aliyev deklaroi se vendi i tij ndihet i nderuar që ka vendosur një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara, të cilat i cilësoi si “shteti më i fuqishëm në botë”.
Duke folur pas ceremonisë së nënshkrimit, Aliyev falënderoi presidentin amerikan Donald Trump dhe nënpresidentin JD Vance për kontributin e tyre në paqen në Kaukaz, duke rikujtuar se më 8 gusht 2025, Azerbajxhani dhe Armenia parafirmosën tekstin e marrëveshjes së paqes në praninë e Trumpit.
Aliyev nënvizoi se një nga rezultatet më të rëndësishme të paqes është projekti Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar (TRIPP), i cili, sipas tij, do të lidhë dy pjesët e Azerbajxhanit (Azerbajxhan-Nahçivan), do të shndërrohet në një korridor të sigurt transporti dhe do të lidhë Azinë me Evropën përmes Azerbajxhanit dhe Armenisë, duke forcuar paqen rajonale.
Aliyev tha gjithashtu se marrëveshja e partneritetit strategjik me SHBA-në mbulon shumë fusha, duke shënuar një fazë të re në marrëdhëniet dypalëshe. Ai theksoi bashkëpunimin në siguri dhe luftë kundër terrorizmit, energji dhe industri mbrojtëse, si dhe planet për ngritjen e qendrave të inteligjencës artificiale.
Duke vënë në dukje rolin e Azerbajxhanit në sigurinë energjetike, Aliyev tha se vendi i tij furnizon me gaz natyror 16 shtete, prej të cilave 11 janë anëtare të NATO-s dhe aleate të SHBA-së.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
