Autoritetet ukrainase: Katër të vrarë dhe 25 të plagosur nga sulmi rus gjatë natës në Kiev
Moska thotë se sulmi kishte në shënjestër objektet ushtarako-industriale të Ukrainës në shenjë hakmarrjeje për sulmin e raportuar ndaj rezidencës së presidentit rus
Stamboll
Autoritetet ukrainase thanë se një sulm me dronë dhe raketa nga Rusia gjatë natës vrau katër persona dhe plagosi të paktën 25 të tjerë në Kiev, ndërsa Moska tha se operacioni kishte në shënjestër objekte të lidhura me kompleksin ushtarako-industrial të Ukrainës, si përgjigje ndaj një sulmi të mëparshëm që ia atribuon Kievit, transmeton Anadolu.
Mes të plagosurve kishte personel mjekësor, punonjës të shërbimeve të emergjencës dhe një oficer policie, thanë prokurorët. Sulmi preku disa rrethe të kryeqytetit, si Darnytsia, Dnipro, Desnianskyi, Pechersk, Shevchenkivskyi, Holosiivskyi dhe Sviatoshynskyi.
Autoritetet thanë se 19 ndërtesa të larta banimi u dëmtuan, së bashku me një ndërtesë ambasade, një kopsht fëmijësh, një depo tramvajesh, një kullë banimi në ndërtim, disa automjete, një supermarket dhe një pikë karburanti. Shërbimet e emergjencës dhe agjencitë e rendit vazhduan punën në zonat e prekura, duke theksuar se bilanci përfundimtar i viktimave ende po saktësohej.
Nën drejtimin procedural të Prokurorisë së Qytetit të Kievit, u hap një hetim paraprak për krime të dyshuara lufte sipas Nenit 438 të Kodit Penal të Ukrainës, duke përmendur vdekjet e civilëve dhe dëmtimin e infrastrukturës civile.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha se forcat e saj kryen "goditje masive" duke përdorur armë precize me rreze të gjatë veprimi, përfshirë sistemin balistik tokësor mobil "Oreshnik" si dhe dronë sulmues. Ministria tha se sulmet kishin në shënjestër objekte për prodhimin e dronëve dhe infrastrukturën energjetike që mbështet industrinë ushtarake të Ukrainës.
Ajo shtoi se operacioni u ndërmor si përgjigje ndaj asaj që e përshkroi si një sulm të mëparshëm ndaj rezidencës së presidentit rus në rajonin e Novgorodit.
