Autoritetet siriane: 16 të vrarë në sulme nga “grupe të jashtëligjshme” në Sirinë jugore
Grupe të armatosura sulmuan postet e sigurisë në periferi të Ashrafiyat Sahnayas, një qytet kryesisht i banuar nga komuniteti Druze, 12 kilometra larg qendrës së Damaskut, thonë autoritetet

Istanbul
Gjashtëmbëdhjetë civilë dhe personel sigurie u vranë në sulme nga “grupe të jashtëligjshme” në Sirinë jugore, thanë autoritetet, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë, shefi i policisë rurale të Damaskut, Hussam al-Tahan, tha se grupe të armatosura sulmuan postet e sigurisë në periferi të Ashrafiyat Sahnayas, një qytet kryesisht i banuar nga komuniteti Druze, 12 kilometra larg qendrës së Damaskut.
Ai tha se 11 pjesëtarë sigurie ishin midis të vrarëve në sulme.
Tahan tha se përshkallëzimi pasoi trazirat në qytetin e afërt Jaramana, gjithashtu një zonë e komunitetit Druze, ku një marrëveshje e brishtë armëpushimi ishte ndërmjetësuar gjatë dy ditëve të fundit me udhëheqësit e komunitetit lokal.
Marrëveshja përfshinte ndalimin e të shtënave me armë dhe kthimin e trupave të të vrarëve në përleshjet e fundit. Autoritetet filluan zbatimin e kushteve menjëherë, tha ai.
“Megjithatë, grupet e jashtëligjshme infiltruan tokën bujqësore në Ashrafiyat Sahnaya të martën në mbrëmje dhe hapën zjarr si ndaj civilëve, ashtu edhe ndaj personelit të sigurisë, duke shkaktuar më shumë viktima”, shtoi ai.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.