Bota

Autoritetet: Gjithnjë e më shumë fëmijë flenë në rrugët e Brukselit dhe situata "po përkeqësohet"

Megjithëse mungesa e strehimit është një problem mbarëkombëtar, situata në Bruksel paraqitet veçanërisht e rëndë

Melike Pala  | 20.02.2026 - Përdıtësım : 20.02.2026
Autoritetet: Gjithnjë e më shumë fëmijë flenë në rrugët e Brukselit dhe situata "po përkeqësohet"

Bruksel

Komisioneri për të Drejtat e Fëmijëve në Belgjikë ka paralajmëruar se një numër në rritje fëmijësh po detyrohen të flenë në rrugët e Brukselit, pasi strehimoret emergjente po refuzojnë familje për shkak të mungesës së kapaciteteve, transmeton Anadolu.

Komisioneri për të Drejtat e Fëmijëve dhe Delegati për të Drejtat e Fëmijëve në një deklaratë të përbashkët ngritën alarmin për "situatën në përkeqësim", duke theksuar se "asnjë fëmijë nuk duhet të flejë jashtë", pavarësisht statusit administrativ të familjes.

Duke iu referuar Konventës së OKB-së për të Drejtat e Fëmijës, deklarata theksoi se çdo fëmijë ka të drejtën për një standard të përshtatshëm jetese, përfshirë strehim të sigurt. Megjithëse mungesa e strehimit është një problem mbarëkombëtar, situata në Bruksel paraqitet veçanërisht e rëndë.

Sipas të dhënave të vitit 2024 të mbledhura nga organizatat kyçe me bazë në Bruksel, përfshirë "Bruss'help" dhe "Samusocial", 9.777 persona rezultonin të pastrehë në kryeqytet, mes tyre 1.678 të mitur.

Kërkesat për strehim janë në rritje, qendrat janë të mbingarkuara dhe refuzimet po shtohen ndjeshëm. Organizata "Samusocial" raportohet se refuzon familje çdo ditë dhe ka konfirmuar se aktualisht në Bruksel ka fëmijë që jetojnë në rrugë.

Zyrtarët theksuan rritje të konsiderueshme të refuzimeve për familjet gjatë vitit 2025, me kulme gjatë muajve të verës. Në disa ditë, deri në 100 familje thuhet se janë refuzuar nga strehimoret.

Komisionerët theksuan se mungojnë shifra të plota dhe të përditësuara për numrin e personave që jetojnë në rrugë, duke e bërë numrin e refuzimeve tregues kyç të përmasave të krizës. Ata paralajmëruan se disa familje nuk kërkojnë më ndihmë dhe mbeten "jashtë radarit".

Përtej mungesës së dukshme të strehimit në hapësirat publike, shumë familje qëndrojnë përkohësisht te të njohur, flenë në makina apo garazhe ose jetojnë në ndërtesa të pushtuara, kushte të cilat përshkruhen si të pasigurta dhe të dëmshme për shëndetin dhe zhvillimin e fëmijëve.

Situata pritet të përkeqësohet më tej me mbylljen e strehimoreve dimërore më 31 mars, çka do të sjellë humbjen e 285 vendeve për familjet.

Duke kërkuar veprim urgjent dhe të koordinuar në nivel federal, rajonal dhe lokal, komisionerët u bënë thirrje autoriteteve të zbatojnë parimin e "zero refuzimeve për familjet" dhe të garantojnë që asnjë fëmijë të mos e kalojë natën jashtë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın