Autoritetet gjermane paralajmërojnë për radikalizim të të rinjve të ekstremit të djathtë
"Është një skenë neofashiste dhe ekstremiste e ekstremit të djathtë e orientuar drejt të rinjve, e prirur ndaj dhunës", thanë autoritetet në raportin e tyre
Berlin
Qindra të rinj gjermanë po radikalizohen përmes rrjeteve online të ekstremit të djathtë që lavdërojnë sulmet terroriste dhe promovojnë dhunën, thuhet në një studim të publikuar sot, transmeton Anadolu.
Studimi nga zyrat e prokurorëve publikë në Stuttgart dhe Mynih, dhe Zyra e Policisë Kriminale të Baden-Wurttembergut zbuloi një rritje midis të rinjve të lidhur në të ashtuquajturën skenë "Terrorgram" përmes shërbimeve të mesazheve si Telegram, ku ata ndajnë fantazi sulmesh, propagandë dhe thirrje për dhunë.
"Është një skenë neofashiste dhe ekstremiste e ekstremit të djathtë e orientuar drejt të rinjve, e prirur ndaj dhunës", thanë autoritetet në raportin e tyre gjithëpërfshirës pas analizimit të dhjetëra rasteve nga e gjithë Gjermania. Këto rrjete online të ekstremit të djathtë, të përbëra nga grupe chati dhe kanale mesazhesh janë zgjeruar me shpejtësi vitet e fundit, paralajmëruan ata.
Studimi zbuloi se mbështetësit janë mesatarisht pak mbi 16-vjeç me disa edhe nën 14-vjeç, një grupmoshë që ende nuk ka zhvilluar vlera të forta dhe për këtë arsye është veçanërisht e ndjeshme ndaj propagandës ekstremiste. Skena ekskluzivisht mashkullore dhe shumë e re radikalizohet shpejt dhe është "jashtëzakonisht e gatshme të kryejë dhunë dhe terrorizëm", paralajmëruan ekspertët.
Sipas raportit, shumica dërrmuese e të radikalizuarve janë të neglizhuar nga familjet e tyre dhe të izoluar shoqërisht. Disa prej tyre janë diagnostikuar mjekësisht me një sëmundje mendore ndërsa të tjerë tregojnë shenja të qarta të problemeve psikologjike. Kjo i bën familjet dhe sistemet e mbështetjes sociale thelbësore për zbulimin e hershëm dhe parandalimin e radikalizimit të mëtejshëm, thonë ekspertët.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
