Bota

Australia flet për heroin Ahmed al Ahmed i cili u plagos derisa neutralizonte personin e armatosur në sulmin në Sydney

Një 43-vjeçar siriano-australian u plagos gjatë çarmatosjes së njërit prej autorëve të sulmit vdekjeprurës që vrau 16 persona dhe plagosi 40 të tjerë

Betül Yılmaz  | 15.12.2025 - Përdıtësım : 15.12.2025
Australia flet për heroin Ahmed al Ahmed i cili u plagos derisa neutralizonte personin e armatosur në sulmin në Sydney

Stamboll

Mediat australiane raportuan se personi që ndërhyri në sulmin me armë në plazhin e qytetit Sydney dhe çarmatosi njërin prej autorëve të sulmit ishte një burrë me emrin Ahmed al Ahmed me prejardhje siriane, transmeton Anadolu.

Sipas një lajmi të publikuar në News.com.au, kamerat kapën momentin gjatë sulmit në plazhin Bondi të Sydney-it kur një burrë iu afrua njërit prej sulmuesve nga pas, i rrëmbeu pushkën nga duart dhe e neutralizoi atë.

"News.com.au konfirmoi se heroi është 43-vjeçari Ahmed al Ahmed, një banor i Sidney-it që ka një dyqan frutash në Sutherland", thuhet në lajm.

Ahmed, një sirian nga Idlibi në veriperëndim të Sirisë, i cili mban shtetësi australiane, thuhet se u qëllua dy herë gjatë sulmit dhe u dërgua në spital për trajtim.

Duke folur për 7News nga spitali, kushëriri i Ahmedit, Mustafa Al-Asaad tha se kushëriri i tij do t'i nënshtrohej një operacioni sonte. Asaadi shtoi se Ahmedi, baba i dy fëmijëve, nuk kishte përvojë me armët e zjarrit.

Ai tha se gjendja e Ahmedit ishte e mirë, duke thënë: "Shpresojmë që ai të jetë mirë, ai është një hero".

Në një intervistë për televizionin Al Araby me seli në Katar, Asaadi tha se kushëriri i tij ka ndërhyrë për të ndaluar sulmuesin "nga motive humanitare", duke vepruar instiktivisht pasi pa njerëzit që bien viktima të sulmit.

Ai citoi Ahmedin të thoshte se ajo që bëri "ishte akt humanitar" dhe se nuk ishte në dijeni të sfondit ose identitetit të atyre që ishin në shënjestër dhe nuk mendoi për rreziqet në momentin e ndërhyrjes.

Ndërsa detajet e ndërhyrjes së Ahmed al Ahmed u bënë fokus i madh i mediave australiane dhe diskutimit publik, pamjet e incidentit u shpërndanë gjerësisht në mediat sociale.

"Sydney Morning Herald" e quajti Ahmedin "hero që shpëtoi shumë jetë".

Kryeministri i Uellsit të Ri Jugor, Chris Minns e vlerësoi Ahmedin, duke thënë: "Është skena më e pabesueshme që kam parë ndonjëherë. Një burrë i afrohet një personi të armatosur që kishte qëlluar mbi komunitetin dhe e çarmatos atë i vetëm, duke vënë jetën e tij në rrezik për të shpëtuar jetën e panumërt të njerëzve të tjerë".

"Ky burrë është një hero i vërtetë dhe nuk kam asnjë dyshim se ka shumë, shumë njerëz gjallë sonte si rezultat i trimërisë së tij", shtoi Minns.

Të paktën 16 persona u vranë, përfshirë 15 viktima dhe një nga sulmuesit ndërsa 42 të tjerë mbetën në spital pas incidentit me të shtëna në Bondi Beach në Sydney të dielën.

Kryeministri australian, Anthony Albanese deklaroi në një konferencë për mediat se sulmi ishte drejtuar ndaj australianëve hebrenj. Autoritetet njoftuan se një i dyshuar u vra ndërsa një i dyshuar tjetër i plagosur u arrestua.

Përfaqësuesit e komunitetit musliman të Australisë e dënuan sulmin dhe shprehën solidaritet me viktimat dhe familjet e tyre.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın