Australia asgjëson qindra deve për shkak të thatësirës
Thatësira, e përkeqësuar nga moti përvëlues, ka bërë që tufa të mëdha të deveve të hyjnë në komunitete indigjene, duke dëmtuar tubacionet e ujit dhe gardhet në rrugën e tyre, teksa kërkojnë burime uji
Stamboll
Rreth 600 deve të egra janë asgjësuar këtë javë në Australinë qendrore për të parandaluar “kaosin” e shkaktuar nga këto kafshë të etura në komunitete të largëta, pas një periudhe të zgjatur thatësire, transmeton Anadolu.
Siç raporton transmetuesi lokal SBS News, thatësira, e përkeqësuar nga moti përvëlues, ka bërë që tufa të mëdha të deveve të hyjnë në komunitete indigjene, duke dëmtuar tubacionet e ujit dhe gardhet në rrugën e tyre, teksa kërkojnë burime uji.
Banorët kanë raportuar për grupe prej 800 deri në 1 mijë deve që lëvizin në të njëjtin drejtim, të njohura si “treni devesh”, të cilat shtrihen në një gjatësi rreth 5 kilometra pranë zonave Mt. Liebig dhe Papunya.
Një task-forcë e përbashkët, e ngritur nga qeveria e Territorit Verior dhe që përfshin Këshillin Rajonal MacDonnell dhe Këshillin Qendror të Tokës (CLC), ka miratuar këtë javë një operacion treditor asgjësimi nga ajri për të ndihmuar në menaxhimin e situatës. Sipas CLC-së, rreth 150 deve po vriten çdo ditë.
Të sjella për herë të parë në Australi në vitin 1840, deri në vitin 2008 rreth 1 milion deve endeshin në tokat e thata të Australisë Perëndimore, Territorit Verior, Australisë Jugore dhe Queenslandit.
Një raport federal për Gjendjen e Mjedisit tregoi se Projekti Australian për Menaxhimin e Deveve të Egra, gjatë viteve 2008–2013 largoi më shumë se 160 mijë deve.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
